Imuniteti, Berisha: Po punojmë që ta heqim në Parlament

Sep 5, 2012 | 12:00
Kryeministri Sali Berisha

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Slloveni, Kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim në edicionin e 7-të të Forumit Strategjik të Bled-it. Kreu i ekzekutivit u ndal gjerësisht në arritjet ekonomike të vendit tonë, ndërkohë që një pjesë të fjalimit e fokusoi te situata politike. Lidhur me heqjen e imunitetit, ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e artikuluar së fundmi, sipas të cilit do të synohet ndryshimi i Kushtetutës në Parlament. “Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore. Gjej rastin të përsëris vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme, ligji apo vendimi tjetër të nevojshëm, që vendi ynë të ecë përpara, drejt rrugës së tij të pandalshme drejt BE-së. Ne po punojmë ngushtë me Komisionin e BE dhe vendet mike, për të plotësuar sa më shpejt të jetë e mundur të gjitha detyrimet tona për statusin e vendit kandidat”, u shpreh Berisha. Në fjalimin e tij, Kryeministri u ndal gjithashtu edhe te situata në rajon, duke kritikuar Serbinë dhe Maqedoninë për trajtimin që u bëjnë shqiptarëve. Sipas tij, kërcënim për rajonin sot është albanofobia. “Nuk mund të kenë shpjegim tjetër sulmet politike ndaj shqiptarëve të Preshevës ditën e heshtjes zgjedhore, të drejtuara nga njeriu që sot drejton ekzekutivin e Serbisë, me qëllim të vetëm terrorizimin e shqiptarëve, që ata të mos dilnin në zgjedhje për të pasur deputetin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Dhe sot, pas gati 70 vjetëve, këta njerëz nuk kanë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Gjithashtu, është i pajustifikueshëm denoncimi i nderimit të luftëtarëve të lirisë që, me sakrificën e tyre sublime, bënë të mundur Marrëveshjen e Ohrit, që përbën një bazë solide për paqen, stabilitetin e Maqedonisë”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura