TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka ftuar sërish sot liderin e opozitës Edi Rama për të votuar në 6 gusht për heqjen e imunitetit, duke i bërë thirrje atij të dëgjojë ekspertët, e të respektojë interesin e qytetarëve dhe jo të kupolës.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha theksoi se drafti i paraqitur përmban standardet më të avancuara të kohës, ndërkohë që të shtunën sipas tij u dhanë këshilla e sugjerime shumë të çmuara që duhet të bëhen pjesë e tij.
“Rama kushtëzon heqjen e imunitetit. Ai e lidh me pazare për drejtësinë heqjen e imunitetit. Ai kërkon që krerët e gjykatës dhe gjyqtarët etj të emërohen me mekanizmin e Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit, që do të thotë ose zgjedhje në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucionit pa kokë. Standardet e tij janë sundimi i pakicës, nëse presidenti bllokohet nga pakica, krerët e drejtësisë po ashtu, do shkojë te kryeministri të zgjidhet nga pakica”- tha Berisha.
© Panorama.al












