
TIRANE- Lidhja e Imamëve të Shqipërisë ka konfirmuar se nuk ka asnjë plan për organizimin e protestave publike kundër filmit famëkeq që ka shkaktuar trazira në të gjithë botën islame, duke hedhur poshtë kështu thashethemet e kohëve të fundit.
“Ne kurrë nuk kemi planifikuar të mbajmë një tubim dhe kurrë s’kemi menduar për organizmin e një proteste”- ka thënë për Balkan Insight, Kryetari i Lidhjes së Imamëve, Justinian Topulli. Ai ka hedhur poshtë pretendimet se ka patur një kërkesë tek autoritetet për një tubim.
Ai tha se do të mbahet vetëm një simpozium mbi rolin e Profetit Muhamed në Islam dhe çdo pretendim tjetër është një keqkuptim.
Siç raporton, Balkan Insight, në një njoftim të fundit për qytetarët e saj, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte paralajmëruar se “Lidhja” kishte aplikuar për një leje për mbajtjen e demonstratës kundër filmit të diskutueshëm, gjë që mund të përhapte mitingjet edhe në qytetet e tjera.
Balkan Insight shkruan se afërsisht 70 përqind e popullsisë, 2.8 milionë të Shqipërisë kanë prejardhje myslimane, por numri i besimtarëve që e praktikojnë është më i vogël.
Shqipëria është shtëpi për një numër të madh të katolikëve, krishterëve dhe ortodoksëve, dhe vendi ka një traditë në tolerancën dhe bashkëjetesën mes besimet të ndryshme.
Katër zyrtarët amerikanë, përfshirë ambasadorin në Libi, Christopher Stevens, u vranë në një sulm më 11 shtator në konsullatën amerikane në Bengazi, në lindje të Libisë, pas publikimit të filmit.
© Panorama.al











