Ilir Meta uron arsimtarët për 7 Marsin: Mësuesi mbetet shtylla më e fortë e shoqërisë! Pavarësisht sfidave, jeni themeli i së ardhmes

Mar 7, 2026 | 10:04

Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar sot të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

ilir meta

Në një mesazh në rrjetet sociale, Meta thekson rëndësinë e përkushtimit të arsimtarëve shqiptarë dhe rolin e tyre në formimin e brezave të rinj.

“Urimet më të përzemërta për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë, të cilët me përkushtim dhe sakrificë i shërbejnë çdo ditë dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Mirënjohje të thellë për misionin tuaj fisnik në përcjelljen e dijes, vlerave qytetare dhe identitetit kombëtar”, shkruan ai.

Megjithatë, ish-presidenti nuk ka lënë pa përmendur sfidat që përballen sot mësuesit shqiptarë, pagat e ulëta, nënfinancimi i arsimit dhe emigracioni i detyruar i disa edukatorëve.

“Fatkeqësisht, shumë prej jush sot e festojnë këtë ditë larg atdheut. Politikat e gabuara dhe mungesa e mbështetjes për arsimin kanë detyruar jo pak mësues e pedagogë të largohen në emigracion, kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për përvojën dhe përkushtimin tuaj në shkolla dhe universitete” shkruan Meta.

Postimi i plotë:

Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!

Urimet më të përzemërta për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë, të cilët me përkushtim dhe sakrificë i shërbejnë çdo ditë dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Mirënjohje të thellë për misionin tuaj fisnik në përcjelljen e dijes, vlerave qytetare dhe identitetit kombëtar.

Fatkeqësisht, shumë prej jush sot e festojnë këtë ditë larg atdheut. Politikat e gabuara dhe mungesa e mbështetjes për arsimin kanë detyruar jo pak mësues e pedagogë të largohen në emigracion, kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për përvojën dhe përkushtimin tuaj në shkolla dhe universitete.

Sot arsimi përballet me sfida të mëdha: nënfinancim nga buxheti i shtetit, paga të ulta që nuk krahasohen dot as me Kosovën, shkolla që mbyllen, universitete që zbrazen dhe një sistem që shpesh nuk i jep vlerësimin e merituar mësuesit shqiptar. Por pavarësisht vështirësive, mësuesi mbetet shtylla më e fortë e shoqërisë dhe themeli i së ardhmes së vendit.

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në dije, në dinjitetin dhe mirëqenien e mësuesve është investimi më i sigurt për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë shpresë për të rinjtë.

Me besim se e ardhmja ndërtohet mbi dijen, uroj që kjo ditë të jetë jo vetëm një kujtesë për respektin por edhe për mbështetjen që çdo mësues meriton.

© Panorama.al

Te lidhura