
Flet nënkryetari i Komisionit të Sigurisë.
“Duam të faktojmë se SHIU ka vepruar brenda kuadrit ligjor e kushtetues”
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Ilir Gjoni, deklaron se zvarritja që po i bën Ministria e Mbrojtjes kërkesës për kontroll, tregon mentalitetin e shpërfilljes që ka qeveria për Kuvendin, duke e trajtuar atë si një apendiks të sajin. Deputeti i Partisë Socialiste, në një intervistë për “Panorama”, shprehet se ministri Arben Imami duhet të japë llogari për shpenzimet e buxhetit të këtij dikasteri, që sipas Gjonit është i pamjaftueshëm për të realizuar objektivat e NATO-s dhe në të njëjtën kohë është i keqpërdorur në reklama televizive apo shpenzime të tjera të pajustifikuara.
Zoti Gjoni, prej disa muajsh Partia Socialiste ka kërkuar në Komisionin e Sigurisë nisjen e një hetimi parlamentar ndaj Ministrisë së Mbrojtjes të drejtuar nga ministri Arben Imami. Çfarë pengesash ka në këtë drejtim dhe cilat kanë qenë arsyet që nuk është mundësuar prej muajsh mbikëqyrja e këtij dikasteri?
Ministria e Mbrojtjes në vijimësi është monitoruar nga Komisioni i Sigurisë. Rregullorja e Kuvendit na jep mundësinë dhe disa mjete për të ushtruar mbikëqyrjen, siç janë kërkesat për informacion, pyetjet me shkrim, seancat dëgjimore, interpelancat etj. Të gjitha të kodifikuara në Rregulloren e Kuvendit. Një ndër to është edhe mbikëqyrja e vetë institucionit në fjalë, një praktikë që nuk është ndjekur të paktën gjatë kësaj legjislature nga asnjë komision, por që ka qenë një praktikë e mirë e Komisionit të Sigurisë në legjislaturat e mëparshme. Pikërisht, ne si opozitë kemi kërkuar të shfrytëzojmë këtë mjet që na vihet në dispozicion për të ushtruar funksionet tona. Dua të nënvizoj faktin se Komisioni i Sigurisë, pavarësisht një farë zvarritjeje në kohë, ka marrë një vendim konsensual e unanim për të ushtruar këtë mbikëqyrje në Ministrinë e Mbrojtjes. Pengesat kanë ardhur vetëm nga drejtuesit e kësaj Ministrie. Arsyet i dinë ata, por në një kuadër normal kushtetues demokratik, i vetmi shpjegim është arroganca e pushtetit dhe shpërfillja që Ekzekutivi ka ndaj pushtetit Legjislativ, të cilin e konsideron si apendiks të vetin.
Ju keni hedhur akuza të forta ndaj ministrit Imami për shitje armësh me Malin e Zi dhe në vende të tjera të rajonit. Mund të na thoni çfarë indicesh dhe çfarë provash dispononi për këto akuza?
Ne si Komision Sigurie dhe unë personalisht nuk kemi hedhur asnjë akuzë. Vetëm kemi deklaruar se nga çka është publikuar në media ka dyshime të bazuara se me tregtinë e armëve dhe municioneve mund të jetë abuzuar apo vepruar në shkelje të ligjeve në fuqi, në dëm të interesave publike.
Ndër akuzat kryesore të opozitës ka qenë shpërdorimi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas deputetit të PS-së, Piro Lutaj, rreth 83% e buxhetit të kësaj Ministrie nuk dihet ku shkon, pasi për vitin 2011 është vendosur vetëm 14% e buxhetit në dispozicion të FA-së, për stërvitjen është vendosur vetëm 0.1%, për ekseset dhe shërbimet shëndetësore 3.5% e buxhetit. Cili është komenti juaj për këto deklarata?
Ne, gjatë diskutimit që i kemi bërë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, kemi ngritur një sërë shqetësimesh që kryesisht lidhen me përmbushjen e 49 objektivave të Forcës dhe plotësimin e detyrimeve të lëna nga konferenca e 4-t NATO-Shqipëri, zhvilluar vitin e kaluar e që jepte një pasqyrë alarmante të situatës së Forcave tona të Armatosura. Kemi shprehur habinë se si mund të shpenzohen afërsisht 700 mijë dollarë për një reklamë televizive të FA-së, e transmetuar fare pak në vetëm një a dy kanale televizive të njohura si klientë të qeverisë; kemi denoncuar, për shembull, përfshirjen e mjeteve të Ushtrisë dhe FAsë në aktivitete partiake, referuar rastit të 20-vjetorit të themelimit të PD-së, kemi shprehur shqetësim se buxheti nuk është i mjaftueshëm për të realizuar stërvitjen e trupave sipas normave e standardeve të NATO-s, kemi shprehur shqetësim për shkarkimin e gjeneralëve dhe shpërfilljen, sipas nesh, të ligjit të gradave dhe karrierës, duke vënë mbi të, siç është shprehur vetë ministri në Komisionin e Sigurisë “diskrecionin e tij dhe të Kryeministrit” në përzgjedhjen apo lirimin e gjeneralëve, e një mori problemesh të tjera.
Në kërkesën e hetimit që do të kryeni në Ministrinë e Mbrojtjes është dhe kontrolli i punës së Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU). Çfarë dyshimesh keni për këtë strukturë informative të Ushtrisë, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë synoni të faktoni?
Mbikëqyrja e veprimtarisë së SHIU-së është një ndër tetë fushat që, në bazë të vendimit të Komisionit të Sigurisë, parashikohet të zhvillojnë anëtarët e këtij Komisioni. Si një shërbim inteligjent i rëndësisë së veçantë, kuptohet që edhe mbikëqyrja e tij është e një rëndësie të veçantë. Ne nuk kemi asnjë dyshim dhe nuk kemi pse të kemi. Ne po zhvillojmë një veprimtari normale që është pjesë e punës sonë si deputetë. Ne nuk synojmë të faktojmë asnjë gjë. Në fakt, ne duam të faktojmë se ky shërbim është funksional, vepron brenda kuadrit ligjor e Kushtetues dhe i shërben qëllimit për të cilin është ngritur. Ky është qëllimi ynë.
Miratimi i kërkesës suaj në Komisionin e Sigurisë duket se ka shërbyer si shkëndijë për përplasjen anëtarëve të maxhorancës, kryetarit të Komisionit, Leonard Demi dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Jeni në dijeni të kësaj përplasjeje?
Nuk jam në dijeni dhe nuk më duket se është kështu, pasi ky vendim i Komisionit, siç e thashë më lart, është miratuar me konsensus e në unanimitet të plotë. Në përbërje të komisionit nga maxhoranca janë zotërinjtë Oketa, Turku, Hoxha, Skuqi, Maliqi, Metalla e shumë të tjerë. Nëse kjo përplasje ka ndodhur, atëherë kjo do të përfshinte një grup prej të paktën 12 deputetësh të PDsë. Nuk e di nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Nëse po, jam shumë i lumtur.
Dy kolegët tuaj demokratë, Fatos Hoxha dhe Luan Skuqi, kanë ftuar më datë 11 korrik për seancë dëgjimore ministrin Arben Imami, ndërkohë që ju keni konfirmuar se do të nisni në datën 10 korrik inspektimin në terren për ato që ju i quani abuzime të ministrit të Mbrojtjes. Si e gjykoni këtë ftesë për seancë dëgjimore?
Ne jemi njoftuar vetëm dje me një SMS se do të ketë një mbledhje të komisionit, ku do të jetë edhe ministri i Mbrojtjes. Do jemi aty prezentë dhe aktivë, ndërkohë që objektivi ynë është mbikëqyrja në dikasterin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo do të fillojë më datë 10 korrik e do të zgjasë deri më 31 tetor.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











