Ilaçet, vendimi: Ulet fitimi për farmacitë

Jul 28, 2011 | 10:40

Ndryshojnë marzhet e çmimeve të fabrikimit dhe tregtimit
të ilaçeve. Efektet do të ndihen edhe në skemën e barnave me rimbursim.
Në dy vendime, qeveria ka përcaktuar sa do të jenë marzhet e reja dhe
masën e mbulimit të çmimit të tyre. Kështu, është ulur me 4% marzhi për llogaritjen e çmimit maksimal të tregtimit me shumicë të barnave nga
importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë. “Çmimi maksimal i tregtimit me
shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar deri në 14 për qind  mbi çmimin CIF të importit
të barit, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor”, thuhet në vendimin e djeshëm. Më
parë, çmimi caktohej duke shtuar deri në 18% mbi çmimin CIF të importit të barit.” Marzhi 14 (katërmbëdhjetë) për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 10 (dhjetë) për qind dhe 4 (katër)
për qind”, saktëson vendimi. Më parë, marzhi prej 18 për qind ndahej ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 12.5 për qind
dhe 5.5 për qind. Është ulur me 4% gjithashtu edhe marzhi për çmimin maksimal të tregtimit me pakicë të barnave. “Çmimi maksimal i
tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar deri 29 (njëzet e nëntë) për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik”, thuhet në vendimin e djeshëm. Ndërkohë, më parë ky marzh ishte 33%. Sipas
vendimit për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore
publike, çmimi maksimal i tregtimit caktohet duke shtuar deri në 10 (dhjetë)
për qind mbi çmimin CIF ose EXË dhe për disa nga këto barna zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit
të Ministrave”, thuhet në vendim. Për barnat e listës që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor zbatohen marzhe të
diferencuara, të cilat miratohen me vendim të posaçëm. Këtë të fundit qeveria e miratoi gjithashtu dje. “Marzhet e diferencuara të tregtimit do
të jenë përkatësisht në masën 10 (dhjetë) për qind, për tregtimin me shumicë, dhe 26 (njëzet e gjashtë) për qind, për tregtimin me pakicë, për barnat e listës së barnave të rimbursueshme”, thuhet në vendim. Më parë, ato ishin
në masën 12 për qind të tregtimit me shumicë dhe 29 për qind për tregtimin me pakicë, për barnat e listës së barnave të rimbursueshme, si dhe marzhet e diferencuara të tregtimit me shumicë e pakicë të disa barnave të
listës. Masa e mbulimit të çmimeve të barnave së listës së barnave që rimbursohen, sipas klasifikimit ATC, do të jetë në masën 50 për qind deri
në 100 për qind. Masa e mbulimit të çmimit të barnave për alternativën e parë në listën e barnave të rimbursueshme, për kategorinë e pensionistëve,
të jetë 100 për qind.       ZIRINA LLAMBRO

FITIMI PER ILAÇET

Shtesa e çmimit për importuesit dhe shpërndarësit
Ishte: 18 për qind
Ndahet:
Importues 12.5 për qind
Shpërndarësi 5.5 për qind
Bëhet: 14 për qind
Ndahet:
Importuesi: 10 për qind
Shpërndarësi: 4 për qind
Shtesa për çmimin me pakicë
Ishte: 33 për qind
Bëhet: 29 për qind
Marzhet e diferencuara të tregtimit për listën
Ishte: 12 për qind, për tregtimin me shumicë
Bëhet: 10 për qind, për tregtimin me shumicë,
Ishte: 29 për qind për tregtimin me pakicë
Bëhet: 26 për qind, për tregtimin me pakicë

© Panorama.al

Te lidhura