Lacio ndalet nga Xhenoa, pas dy fitoreve radhazi kundër Kievos dhe Milanit në kampionat. Trajneri Edi Reja është i pafat, sepse pak minuta përpara se të fillonte takimi dëmtohet Hernanes, ndërsa Roki pëson një tërheqje muskulore në minutën e 16-të. Gjithsesi, në përfundim të ndeshjes, në shenjë proteste ndaj vendimit për të luajtur këtë sfidë, trajneri Edi Reja nuk ka dhënë asnjë intervistë. I vetmi që ka folur nga kampi bardhekaltër, ka qenë drejtori sportiv, Igli Tare: “Kemi kërkuar me insistim shtyrjen e këtij takimi, për faktin se skuadra për shkak të borës nuk arriti të stërvitej në Romë. Kemi kontaktuar disa herë me Ligën e futbollit italian gjatë këtyre ditëve, por askush nuk i mori parasysh kërkesat tona. Me sa duket, ne nuk jemi Roma. Si para ndeshjes edhe gjatë saj, skuadra pati një sërë problemesh. Roki dhe Stankeviçius kanë probleme muskulore, ndërsa Hernanes dëmtoi kaviljen. Për më tepër, pas dhjetë ditësh duhet të përfaqësojmë Italinë në Kupat e Europës. Kjo ndeshje nuk duhet të luhej. Drejtuesit e Ligës na thanë se në Xhenova nuk binte borë dhe se fusha ishte e mirë, por në të vërtetë ndodhi krejt e kundërta”.











