Idrizi: PDIU kushtëzon fitoren e çdo lloj aleance

Jun 21, 2011 | 10:22
Idrizi dje gjatë takimit me të zgjedhurit e PDIU

Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi dje se në zgjedhjet e ardhshme parlamentar kjo forcë politike do të jetë përcaktuese në fitoren e çdo koalicioni. Në fjalën e mbajtur në çeljen e “Javës Çame”, Idrizi u shpreh se PDIU është një forcë politike, e cila duhet të merret seriozisht dhe i kërkoi maxhorancës zbatimin e disa pikave të marrëveshjes. “Më konkretisht ne na është premtuar nga shumica në pushtet, me të cilën ishim në koalicion, që në përputhje me detyrimet e “Traktatit të miqësisë” kjo çështje do të trajtohet si duhet. Ky është minimumi që mund të bëjë qeveria dhe ne do ta shtyjmë që ajo të mos i shmanget detyrimit për të cilin është zotuar”, tha z. Idrizi, duke shtuar se “duhet të miratojmë një rezolutë në Parlament, e cila do të ketë karakter detyrues për qeverinë, pra kjo çështje nuk do të jetë thjesht detyrim mes palësh politike, por detyrim i të gjithë klasës politike shqiptare. Ka ardhur koha që kjo rezolutë nuk mund të shtyhet më. Ne sot nuk jemi më një parti e vogël me dy deputetë; ne kemi 65 mijë vota në më pak se një vit jetë e 2 muaj pas bashkimit. Ne do të jemi shumë shpejt faktor real politik, i cili kushtëzon fitoren e çdo lloj aleance.” Ndërkaq, dje u çel “Java çame – Trëndafilat e Çamërisë”. Java përkujtimore do të përmbajë një sërë aktivitetesh me kulmim në marshimin tradicional çam, në Qaf-Botë të Sarandës më 25 qershor. Idrizi shtoi se do të krijohet një mekanizëm institucional, që do të grumbullojë të gjitha të dhënat mbi çështjen çame, duke regjistruar komunitetin, historitë personale, pretendimet pronësore, do t’i asistojë ata për zgjidhjen e këtij problemi, në planin juridik etj.

© Panorama.al

Te lidhura