Mesfushori i Fiorentinës, Rikardo Montolivo dhe Milani janë pranë njëri-tjetrit. Për momentin, është thjesht një hipotezë. Por ajo që shton mundësitë e afrimit të mesfushorit vjollcë në Milano janë kontaktet e vazhdueshme ndërmjet Fiorentinës dhe fantazistit të kuqezinjve, Antonio Kasano, për të cilin drejtuesit vjollcë nuk pushojnë së ëndërruari. Për momentin, Kasano vazhdon të jetë sulmuesi i katërt në formacionin e trajnerit Masimiliano Alegri dhe në kampin kuqezi askush nuk i garanton fanellën e titullarit. Trajneri i kombëtares, Çezare Prandeli, kohë më parë ka deklaruar se nuk do t’i grumbullojë futbollistët që qëndrojnë në stol në klubet e tyre respektive. Për sa i përket Milanit, Montolivo do ishte zëvendësuesi ideal i mesfushorit Andrea Pirlo, i cili tani militon në radhët e skuadrës bardhezi të Juventusit.











