Humbja e postit të kryebashkiakut, pavarësisht mënyrës së finalizimit, pritet të krijojë një situatë krejt ndryshe në PS për Edi Ramën, e sidomos për mënyrën e deritanishme të të bërit opozitë. Pavarësisht strategjisë për ta debatuar me bazën, janë të paktë ata që besojnë se do të jenë socialistët e thjeshtë që do të vendosin për atë që do të ndodhë me drejtimin e PS-së. Por, meqenëse dy vjet më parë, Rama e mbështeti vendimin e bojkotit te një kërkesë e socialistëve tropojanë, këtë herë Rama mundet që të gjejë sërish një degë të çfarëdoshme të partisë së tij për të mbështetur një polikë pjesëmarrjeje në Kuvend. Ndaj dhe debati i hapur në këtë rast brenda PS-së mund të vlejë për t’iu përgjigjur një pyetjeje. A thelbësore, që lidhet edhe me qëndrimin e PS-së deri në zgjedhjet e ardhshme: do të pranojë ofertën e një pjese në PS për të qenë pjesë e debatit në Kuvend, apo do të mbështesë atë pjesë që kërkon t’ia arrijë përmes revoltave? E para duket me kosto për vetë Ramën, i cili, gjatë dy viteve të fundit, ka shuar zërat brenda partisë duke e shuar atë histori me të cilën krenoheshin socialistët: për debatin liberal brenda partisë. Por, e dyta duket edhe më me kosto, pasi rrezikon një betejë pushteti të pasigurt si për socialistët për të ardhur në pushtet, ashtu dhe për shumicën e shqiptarëve, të cilët do të kërkojnë rrugët e mbijetesës në vend të rrugëve të projekteve.
Ndërkaq, përveç sfidës brenda socialistëve dhe për modelin se si do të përballet në debat me maxhorancën, përpara Ramës shfaqet e hapur sfida e mënyrës se si do ta kërkojë reformën zgjedhore. Duke qenë kontestues i dy zgjedhjeve të fundit, të përgjithshme dhe lokale, ai ka shansin të propozojë mënyrën më të besueshme të administrimit zgjedhor, e sidomos atë të numërimit të votës, e cila mund të shmangë kalvaret e numërimit apo gjykimeve, siç ndodhi me Tiranën. Një hezitim për këtë reformë do ta bëjë të paktën bashkëfajtor në mungesë administrimi, sidomos tashmë që Berisha është shprehur hapur se mbështet një model numërimi elektronik.
Nga ana tjetër, Ramës do t’i duhet të zgjedhë mes kryeneçësisë së deritanishme me aleancat dhe pragmatizmit për të cilin nuk ka mundur të tregojë vullnet. Me skuadrën që ka prezantuar dy vitet e fundit, hapja e gjithanshme – për përballje dialogu me maxhorancën dhe për pragmatizëm – duket gati e pamundur. Kështu që zotit Rama i duhet medoemos të kalojë më parë nga “lumi i vjetër” i PS-së, për të ulur bashkërisht ata që gjatë viteve të fundit i ka nxjerrë në vijën e dytë apo të tretë të rëndësisë politike.
Por, gjithsesi, të gjitha këto tashmë duken të domosdoshme, vetëm se nuk dihet kostoja përmes së cilës Rama do të kërkojë t’i zgjidhë, pasi asnjë alibi – madje edhe e justifikuar – nuk do të mund ta mbronte përballë ndonjë humbjeje tjetër përballë Berishës, i cili e ka çuar tashmë kreun e opozitës në kufirin e zgjidhjes, duke i faturuar madje një zemërim jo të vogël të shqiptarëve për pengesat e integrimit në BE, e sidomos për ndërtimin e një muri të brishtë të ekonomisë.
… Deri në shtator, kur mund të nisin edhe betejat e vërteta politike, duket një periudhë më se e mjaftueshme që PS të rimendojë strategjinë politike. Politika që do të vendosë të aplikojë nuk ka vetëm ndikim në fatin e socialistëve, por në tërësi në jetën e shqiptarëve, që kanë nevojë të shohin se si politika mund të ngrihet mbi interesat e vogla dhe të vendosë fatin e gjithë bashkëqytetarëve në plan të parë. Përndryshe, nuk ka asnjë arsye që të mos dyshojmë se beteja e deritanishme ka qenë e lidhur vetëm me rëndësinë e ardhjes në pushtet, por jo për të bërë shtet, e aq më pak shtetarin e duhur.
© Panorama.al












