Të dielën në mbrëmje do të luhet derbi i 276-të i Milanos mes Milanit dhe Interit, i cili do të vërë përballë kampionët e Italisë dhe nënkampionët. Këta të fundit kanë gjetur më në fund vazhdimësinë e rezultateve me pesë fitore radhazi dhe kërcënojnë “kushërinjtë” kuqezi. Gjithsesi, për ta bërë të mundur këtë, ata duhet të mposhtin fillimisht ish-gjigandin e tyre, Zlatan Ibrahimoviç, i cili sivjet ecën me një mesatare të frikshme golash, më e mira e karrierës së tij. 30-vjeçari suedez është aktivizuar në 14 nga 17 ndeshjet e zhvilluara në Serinë A, gjatë të cilave ka mundur të shënojë 12 herë. Aktualisht, Ibra kryeson renditjen e golashënuesve, së bashku me German Denisin e Atalantës dhe Antonio Di Natalen e Udinezes. Por nëse e krahasojmë golat e numrit 11 të Milanit, ato janë po aq sa kanë mundur të shënojnë në total, të gjithë së bashku, sulmuesit e Interit. Futbollisti suedez i Milanit, pasi ka kaluar shifrën e 100 golave në Serinë A, është vënë në ndjekje të një rekordi absolut të historisë së këtij kampionati të vendosur në sezonin 1994-1995 nga Gabriel Batistuta. Ish-sulmuesi i Fiorentinës dhe Romës ka mundur të shënojë në 11 ndeshje radhazi (saktësisht, 11 ndeshjet e para të sezonit 1994-1995), ndërkohë që Zlatan Ibrahimoviç deri tani ka arritur të gjejë golin në 6 ndeshje radhazi.
Ranieri tundohet nga Shnajder-Alvarez
Ishte hedhur thjesht si një ide që në stërvitjet e para të vitit 2012, por mesa duket trajneri i Interit do ta bëjë realitet këtë mendim të tijin. Ranieri po mendon të luajë me një mesfushë me dy fantazistë në derbin kundër Milanit. Duke qenë se Riki Alvarez është shndërruar në një lojtar të pazëvendësueshëm për zikaltrit, Uesli Shnajder mund të përfundojë në pankinë. Por trajneri i Interit nuk ka ndërmend të lërë një yll si holandezi mes rezervave, ndaj për sfidën kundër Milanit po mendon të luajë me skemën 4-4-2. Në sulm, i konfirmuari i parë është Milito, ndërkohë që Pacini dhe Forlani janë në balotazh.











