Vendimi i gjykatësit sportiv ia ka ngrirë buzëqeshjen Milanit. Zlatan Ibrahimoviç është skualifikuar për tri javë pas asaj shuplake që i ka dhënë në pjesën e dytë mbrojtësit të Napolit, Aronika. Përveç ndeshjes kundër Juventusit më 25 shkurt, Alegri do të luajë pa Ibrën kundër Udinezes dhe Çezenës. Gjyqtari sportiv, Xhanpaolo Tosel, pasi ka parë imazhet televizive, e ka vlerësuar gjestin e suedezit si një “episod të dhunshëm”. Nga ana tjetër, klubi i Milanit nëpërmjet administratorit të vet, Adriano Galiani, ka bërë të ditur se do të apelojë kundër vendimit të gjykatësit sportiv: “Vendimi i gjykatësit sportiv për ta skualifikuar Ibrahimoviçin për tri javë, është i ekzagjeruar, – ka thënë Adriano Galiani. Ne po përpilojmë një kërkesë ankimore kundër këtij vendimi”, ka thënë Galiani. Mësohet se klubi kuqezi do ta bazojë tekstin e kërkesës ankimore, duke e konsideruar gjestin e Ibrahimoviçit “si sjellje antisportive”, dhe jo “veprim të dhunshëm”, siç ka parashtruar gjykatësi sportiv. Synimi i drejtuesve kuqezi është të ulin skualifikimin e gjykatësit sportiv nga tri në dy javë. Dhe nëse rekursi i klubit të “Djallit” do pranohet, atëherë Ibra do të luajë në “San Siro” kundër Juventusit.











