Me 21 janar 2006 ndërroi jetë lideri e Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, njeriu që bëri epokë, lideri i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij madhore gjithmonë të ndezur dritën e së ardhmes për Kosovën Shtet euroatlantik.
Dr. Ibrahim Rugove paraqiti gjendjen e rëndë të të drejtave njerëzore në Kosovë duke e ndërkombëtarizuar këtë çështje, e çojë zërin duke kërkuar respektimin e dinjitetit të çdo njeriu dhe të një populli të tërë. I frymëzuar nga personalitete të mëdha të së kaluarës e të kohës, si ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, V. Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe e Sh¸n Nënë Tereza – Ganxhe Bojaxhiu, dr. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.
Presidenti Rugova ishte prijës i vlerave kombëtare e demokratike, udhëheqës i qëndresës qytetare, misionar i paqes e vëllazërimit, vizionar e arkitekt i Pavarësisë së Shtetit të Kosovës, mik e bashkëbisedues i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Evropë e në botë. Ibrahim Rugova përveç se presidenti i parë i Republikës së Kosovës, ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues. Ai lindi në 9 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut.
Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris. Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 1988- 1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës. Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991). Gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta parlamentare dhe presidenciale të majit 1992 dhe qershorit 1998, të organizuara nga partitë politike dhe institucionet shqiptare të Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës.
Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”. Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al