LUSHNJE – I zë korrenti duke vaditur tokën, humb jetën nëna, rëndë i biri 14 vjeç. Ngjarja e rëndë ka tronditur gjithë fshatin Grabian në rrethin e Lushnjës. Hasime Dervishi, 42 vjeçe, së bashku me të birin 14-vjeçar kanë qenë duke vaditur mbjelljet kur janë goditur nga një rrymë e fortë elektrike. Sipas policisë, shkaku mendohet se ka qenë pompa e vjetër elektrike, me kabllo të zhveshur dhe tejet e amortizuar, të cilën e përdornin kryesisht për vaditjen e fushave. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, djali ka rënë aksidentalisht në kontakt me kabllon e zhveshur të pompës që ishte në punë duke vaditur tokën. Duke parë djalin në vështirësi, nëna ka tentuar ta ndihmojë për ta larguar nga kontakti me rrymën elektrike, por ka mbetur e vdekur në vend prej shkarkimit të fortë elektrik që ka pësuar. Menjëherë në ndihmë të tyre kanë mbërritur të tjerë banorë të fshatit, të cilët po punonin të shpërndarë nëpër arat e tyre. Ata kanë njoftuar policinë dhe spitalin e Lushnjës, të cilët kanë marrë masa të menjëhershme për t’iu siguruar ndihmë. “Ishte ora 07:30 e mëngjesit, kohë kur ne si fshat dalim në ara për të bërë shërbimet e përditshme. Edhe herë të tjera ata të dy kanë punuar, por, me sa duket, kabllot nuk kanë rënë në kontakt. Sot ne dëgjuam gruan që të bërtiste dhe erdhëm, por sapo mbërritëm, pamë që asnjëri nuk lëvizte”, ka vijuar Lime Ndoja, një banor i zonës. Pas ndihmës së parë mjekësore të dhënë nga banorët e zonës, djali është transportuar në spitalin e Lushnjës me autoambulancën e spitalit e më pas, në mënyrë urgjente, është nisur për në Spitalin Ushtarak për të marrë një shërbim më të specializuar. Mjekët kanë deklaruar se gjendja e 14–vjeçarit vazhdon të paraqitet tepër e rëndë. Bluzat e bardha deklarojnë se nuk sigurojnë ende për jetën, pasi ai vazhdon të ndodhet në gjendje kome. m.r
Kukës, vdes në shtyllë 52-vjeçari
KUKES – Një 52-vjeçar nga fshati Kolsh i Kukësit ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar aksidentalisht në shtyllën elektrike. Burime të Policisë thanë se Fetah Xhoçera, 52 vjeç, gjeti vdekjen e menjëhershme pasi preku gabimisht elementet mbajtëse të shtyllës elektrike. Fuqia e madhe, prej 9 mijë volt, i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima kishte hipur në shtyllën elektrike për të kyçur një kabllo elektrike për të dërguar energjinë në banesën e tij. j.h











