I vetëvaruri, 4 orë në litar në pritje të mjekut ligjor

Feb 13, 2012 | 12:38

Policia e Sarandës

SARANDE/ Policia: Mungesa e tij na pengon hetimet prej një viti.

Mungesa prej një viti e një eksperti mjekoligjor vazhdon t’u shkaktojë probleme të shumta hetuesve dhe ekspertëve të kriminalistikës në qytetin e Sarandës.
Të varur që qëndrojnë nga 4 orë në litar, të mbytur që mbahen buzë kanalit e dosje që mbyllen nga mungesa e akteve të ekspertizave. Këto janë pasojat e mungesës së ekspertit, që u vë “vulën” shkaqeve të plagosjes apo vdekjes së viktimave. Burime nga Policia e Sarandës dhe Prokurorisë së këtij rrethi bëjnë të ditur se prej një viti po hasin probleme të shumta në lidhje me ekspertizat mjekoligjore. “Shumë qytetarë që shkojnë të dhunuar në spital, detyrohen të drejtohen në Gjirokastër apo Tiranë për të kryer një akt ekspertimi që e kërkon hetimi. Në shumë raste ata zgjedhin më mirë të mbyllin çështjen, për shkak të shpenzimeve dhe rrugës së gjatë. Në këtë rast, ne jemi të detyruar të mbyllim dosjen”, bënë të ditur burime nga Komisariati i Sarandës. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar disa të vdekur nëpër aksidente apo ngjarje kriminale, që e kanë pasur të domosdoshme ekspertizën mjekoligjore. I tillë ka qenë rasti i 80-vjeçarit grek K.Karadhimas, i cili humbi jetën pas një debati në qytetin e Sarandës. Mungesa e mjekut ligjor bëri që trupi i tij të dërgohej në Tiranë dhe përgjigjja e ekspertizës të vinte pas më shumë se një muaji. Ndërkohë, i dyshuari për vrasjen e tij (pas përplasjes fizike, i moshuari ra përtokë dhe nuk mbijetoi) u detyrua të qëndronte për 45 ditë në qeli, derisa ekspertiza i provoi pafajësinë. Kjo nuk do të ndodhte nëse mjeku ligjor do të ishte në Sarandë. Ngjarje të ngjashme kanë qenë ato në fshatrat Fterrë e Livadhja të Sarandës, ku një i vetëvarur dhe një i aksidentuar qëndruan për më shumë se 4 orë në litar e buzë kanalit, në pritje të ardhjes së mjekut ligjor nga Gjirokastra.
Në spitalin “Petro Nako” të Sarandës shprehen se kjo nuk është kompetencë e tyre, por e Ministrisë së Drejtësisë dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. “Saranda ka pasur mjek ligjor. Por njëri prej tyre është transferuar prej vitesh në Tiranë në Mjekësinë Ligjore, ndërsa tjetri është në proces penal për një aksident”, u shpreh drejtori i shërbimit spitalor, Arben Vogli. Për rrjedhojë, banorët sorollaten nëpër rrethe të tjera për një akt ekspertimi. Për sa kohë që eksperti mjeko ligjor do të mungojë në Sarandë, të gjitha veprimet do të vazhdojnë të kryhen prej mjekëve nga Gjirokastra apo Tirana. E në rastet kur ata e kanë të pamundur të vijnë, duhet të transportohen tek ta të plagosurit apo edhe viktimat.

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura