I vë flakën vetes në malin e shenjtë, rëndë 55-vjeçari

Jun 8, 2012 | 13:09
Mali i Tomorrit

“Ma bëj hallall. Po iki nga kjo botë këtu në vendin e shenjtë”. Këto fjalë kanë tronditur të shoqen e Flamur Gurit, 55-vjeçarit i cili u ngjit dje në majë të malit të Tomorit, duke u vetëdjegur. Babai i dy fëmijëve u gjet në gjendje të rëndë, duke u transportuar me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, në Kulmak të Skraparit. Sipas burimeve të Policisë së Beratit mësohet se 55-vjeçari ka dalë në qendër të Poliçanit dhe aty ka prenotuar një fuoristradë për 6 mijë lekë që ta dërgonte në majë të Tomorit. Shoferi e ka transportuar Gurin deri në vendin e shenjtë, ku kryhet pelegrinazhi i besimtarëve gjatë muajit gusht, dhe është urdhëruar nga klienti që të largohej pasi nuk do kthehej me të. Ai nuk ka pikasur asgjë të veçantë, edhe pse në çantën që elektricisti 55-vjeçari kishte me vete, ai kishte futur një shishe benzinë dhe një çakmak. Mësohet se Guri ka lyer trupin me benzinë dhe ndërsa mbante në dorë çakmakun, i ka telefonuar të shoqes. Me dy fjalë i ka thënë që ta falte për këtë veprim. E alarmuar, gruaja e tij ka lajmëruar Policinë e Skraparit, forcat e së cilës me urgjencë, ashtu si dhe familjarët e Gurit, janë nisur drejt malit. Me gjithë vështirësitë e rrugës, policia dhe familjarët kanë arritur në kohë rekord në vendngjarje. Ata kanë kërkuar për gjetjen e 55-vjeçarit, i cili është pikasur kur ishte pa ndjenja. Dhe pse ende në shenja jetë, Guri ndodhej në pjesën më të madhe të trupit i djegur. Policia lajmëroi me urgjencë Ministrinë e Shëndetësisë dhe me një helikopter u bë transportimi i Flamur Gurit për në Spitalin Ushtarak. Gjendja e tij mësohet se është shumë e rëndë. Nga ana e policisë po kryhen hetimet për ngjarjen. Sipas familjarëve të 55-vjeçarit, ai kishte vuajtur vite më parë nga depresioni, por nuk dihet nëse e kishte ndërprerë kurën. Ashtu siç kanë thënë dhe familjarët, veç gjendjes së rëndë mendore, nuk kishte arsye tjetër që ta ketë shtyrë Gurin drejt vetëflijimit. Tashmë, 55-vjeçari ndodhet nën trajtimin intensiv të mjekëve, të cilët flasin për një gjendje tejet kritike të tij.

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura