
Gjykata e Lartë pushoi dje çështjen penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me akuzat e ngritura në emër tij për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”.Bëhet fjalë për padinë e Zyber Lelës, i plagosur nga shpërthimi i Gërdecit, ndaj ish-ministrit, si dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Gërdeci”. Shkak për pushimin e çështjes u bë vetë i dëmtuari Lela, i njëjti që një seancë më parë pohoi se nuk pranonte ta falte ish-ministrin. Nëpërmjet një deklarate noteriale, që u bë e ditur nga Kolegji Penal, Lela shprehej se i tërhiqte akuzat e tij ndaj ish-ministrit Mediu. Ndërsa çështja për 29 të pandehurit e tjerë të dosjes “Gërdeci”, njëkohësisht të akuzuar nga i dëmtuari Lela, kaloi për kompetencë në Gjykatën e Tiranës.
PUSHIMI I DOSJES
“Pushimin e çështjes penale ndaj të akuzuarit Fatmir Mediu. Shpalljen e moskompetencës lëndore për gjykimin e çështjes ndaj të akuzuarve të tjerë si Ylli Pinari etj., si dhe dërgimin e çështjes për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”. Me këtë vendim u shfaq dje Kolegji Penal pas rreth 40 minutash të tërhequr në dhomën e këshillimit. Më parë, pas prezantimit të palëve në seancë, relatorja e Kolegjit, gjyqtarja Evelina Qirjako, relatoi një deklaratë që i habiti jo pak të pranishmit. Bëhej fjalë për një deklaratë noteriale të depozituar nga i dëmtuari në Gjykatën e Lartë më 25 maj. Sipas gjykatës, në këtë deklaratë, shtetasi Zyber Lela pohonte se tërhiqej nga padia e tij kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Avokatët e të dëmtuarit Lela u shprehën dje para Kolegjit se nuk kishin dijeni mbi këtë kërkesë dhe i kërkuan gjykatës të shihnin deklaratën e nënshkruar nga klienti i tyre. “Kërkesa e tërheqjes nuk është bërë nga ne. Mbase është bërë nga vetë i dëmtuari akuzues. Nuk kemi pasur njoftim zyrtar për këtë”, pohuan mbrojtësit. Ndërkohë, Gjykata këmbënguli duke pohuar se “deklarata noteriale është paraqitur e firmosur nga i dëmtuari akuzues Zyber Lela”. Një seancë më parë, në atë të datës 23 maj, në seancën pajtimore, akuzuesi Lela nuk pranoi ta falte ish-ministrin Mediu. “Unë i kam shtrirë të gjitha mundësitë e mia. Ai nuk iu përgjigj asnjë lloj kushti. I kam bërë përpjekjet të gjitha”, tha Lela në atë seancë. Në të njëjtën seancë ai pohoi se kishte konsumuar çdo mundësi marrëveshjeje jashtëgjyqësore me ish-ministrin. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm disa prej të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, mes të cilëve edhe Ylli Pinari e Sokol Ngjeci. Ndërsa të pandehurit Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre ligjorë.
ARMAND BAJRAMI











