
FIER – Pasi arriti t’i mbijetojë shpërthimit të gazit si pasojë e prerjes nga një 22-vjeçar për ta shitur për skrap, i plagosuri rrëfen tragjedinë. “Dëgjova Julianin që po kërkonte ndihmë. U ndodha tek tokat aty pranë dhe shkova ta ndihmoja, por nuk munda”. Kështu e ka nisur rrëfimin për grupin e hetimit 53- vjeçari Vangjel Profka. Një ditë pas shpërthimit të tubit të gazit në lagjen Sheq të Fierit, 53-vjeçari Profka vijon t’i nënshtrohet terapisë intensive në spitalin e këtij qyteti. Burime nga spitali bënë të ditur se ai e ka kaluar tashmë rrezikun për jetën. Sipas dëshmisë së tij, dhënë për hetimorët, ka qenë afër orës 10:00 të paradites së të dielës, kur në afërsi të tokave të tij, brenda pusetës, kishte dëgjuar një zhurmë shpërthimi, si dhe presionin e gazit. Më pas, një person thërriste për ndihmë. 53- vjeçari ka shkuar menjëherë në ndihmë të tij. Ai ka tentuar të hyjë në pusetë pasi kishte parë të riun Julian Plepi pa ndjenja. Por tentativa e tij ka rezultuar e kotë, pasi nuk mundi ta ngrejë peshë dhe ta nxirrte nga puseta 22-vjeçarin.
“Me gjithë tentativën, nuk munda ta shpëtoj. Mendova që do vdisja edhe unë, pasi gazi po më shtrëngonte frymëmarrjen. Në këto kushte vendosa të dal. Nuk mbaj mend më shumë, pasi humba ndjenjat”, është shprehur më tej Profka, duke mohuar se është ndodhur në vendin e ngjarjes për të vjedhur tubat metalikë që përcillnin gaz drejt ish-azotikut, Ballshit apo Vlorës.
Ndërsa dje, trupi i 22-vjeçarit Julian Plepi, djalë i vetëm i familjes, është përcjellë për në banesën e fundit. Në familjen Plepi vetëm dy vite më parë kishte pasur një tjetër humbje, motra e vogël e viktimës kishte ndërruar jetë pasi ishte djegur.
“Profka është në gjendje shumë të mirë ekonomike dhe nuk ka asnjë arsye të dalë dhe të vjedhë tuba për skrap. Ai ka tokat pranë vendit të ngjarjes dhe u ndodh aty afër kur Julianit iu desh ndihmë. Kushdo të ishte, do të shkonte për t’i dhënë ndihmë”, është shprehur për policinë K. Profka, familjar i të plagosurit.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur viktima Julian Plepi tentoi të presë tubat e gazit për të siguruar material për skrap. Me sa duket, ai nuk kishte qenë në dijeni se tubacioni qe do të sharronte ishte në funksion. Sapo ka ndërhyrë dhe ka prerë tubin, gazi i ka shpërthyer duke i marrë atij jetën. m.r











