I përhershmi Sadiku shënon “in-extremis”

Feb 20, 2012 | 11:22

Armando Sadiku

Futbollisti i jep një pikë skuadrës së tij Lokarno në derbin me Kiason.

Sulmuesi realizon golin e barazimit në minutën e 90-të.

E pati thënë në një intervistë të ditëve të fundit se ai është mësuar të shënojë vetëm gola me peshë dhe në fakt ashtu ndodhi. Në minutën e fundit të takimit të djeshëm të Lokarnos në fushën e vet ndaj Kiasos, vjen perla e Armando Sadikut e cila i jep një pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë tiçinezëve.
Kjo ishte ndeshja e parë e fazës së dytë në “Challenge League”, ndërsa Sadiku shënoi golin e 11-të në kampionat këtë sezon në vetëm 16 ndeshje të luajtura. Kjo tregon edhe një herë formën e shkëlqyer që po kalon lojtari i Kombëtares shqiptare (është grumbulluar nga trajneri De Biazi për miqësoren ndaj Gjeorgjisë).  Si çdo herë gjatë këtij sezoni, edhe në takimin e djeshëm Armando Sadiku luajti si titullar te Lokarno, duke rrezikuar disa herë portën e Kiasos. Por mbulimi i rreptë nga ana e mbrojtësve të kësaj skuadre bëri që sulmuesi shqiptar të mos arrinte që të shënonte më shumë se një gol. Kujtojmë se edhe në ndeshjen e parë mes këtyre dy ekipeve, në fazën e parë në Kiaso, Sadiku shënoi, madje ai gol pati vlerë 3-pikëshe. Sakaq, lojtari është edhe golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin zviceran, me 11 golat e tij (Tadiç i ekipit Kriens ka shënuar 14 gola). Me këtë barazim të arritur nga këmbët e Sadikut, Lokarno mban vendin e 10-të nga 16 skuadra në renditjen e kampionatit me 21 pikë: 5 fitore, 6 barazime dhe 5 humbje. Golavarazhi 20-27, nga të cilët 11 gola janë shënuar vetëm nga Sadiku. Golat e shënuar dhe forma e mirë që po kalon sulmuesi ka shtyrë disa skuadra si në Zvicër, por edhe në Gjermani, që të mendojnë për blerjen e kartonit të futbollistit shqiptar. Me gjasa Sadiku do të veshë një tjetër fanellë në verën e këtij viti, pasi edhe vetë drejtuesit e Lokarnos duan që të përfitojnë nga shitja e këtij lojtari (kujtojmë që shkoi te kjo skuadër vitin e shkuar me parametër zero. Madje, ishte i dënuar me dy vjet pezullim nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit).

Lila-Vila
Andi Lila dhe Emiljano Vila kanë qenë të dy titullarë në ndeshjen e djeshme që Janina zhvilloi në kampionatin grek të futbollit. Vendësit humbën me rezultatin 1-2 ndaj Atromitos, skuadër kjo që po bën një kampionat mjaft cilësor këtë sezon. Ndërkohë, Lila luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa Vila u zëvendësua në minutën e 81-të të pjesës së dytë nga Kristos Tzanis. Një humbje e tillë ka komplikuar pozitën e Janinës, pasi tashmë kjo skuadër renditet në vendet e fundit të kampionatit grek.

Hyka e Ujkani
Jahmir Hyka ka luajtur për gati 30 minuta në transfertën e djeshme të Luzernit në fushën e Lozanës. Takimi përfundoi në barazim pa gola, teksa mesfushori shqiptar nuk u preferua që në minutat e para nga trajneri i Luzernit, Murat Jakin. Hyka u fut në lojë në minutën e 62-të të pjesës së dytë në vend të Vinter. Ndërsa Samir Ujkani ruajti të paprekur portën e tij në barazimin pa gola mes Novarës dhe Atalantës. Në fund, loja e portierit kuqezi është vlerësuar me notën 6-të nga analistët italianë.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura