Puna e jashtëzakonshme e studiuesit Petro Zheji u diskutua dje në një takim intelektualësh e studiuesish, të cilët vlerësuan Zhejin për zbulimet e bëra, që ndryshojnë qëndrimin për gjuhën shqipe.
Petro Zheji nuk është i vetëm në qëndrimet e tij, profesor Përparim Kabo solli disa shembuj autorësh shqiptarë dhe të huaj, që vërtetojnë teoritë e Zhejit nëpërmjet studimeve të thelluara.
“Petro është supershkencëtar, superpatriot! Në librin e tij ‘Shqipja dhe sanskritishtja’, ai përmend Sami Frashërin, De Radën, Naim Frashërin dhe thotë se Rilindësit tanë e kanë vënë në dukje historinë parahelene të popullit shqiptar dhe historinë e tyre pellazge”, u shpreh Kabo. Ai përmendi origjinën parahelene të shqipes, duke u bazuar edhe te rilindësit. Në vijim të qëndrimeve për vjetërsinë e shqipes, për të vërtetuar origjinën pellazge të shqiptarëve, Kabo jep dëshmitë shkencore, duke përmendur analizat laboratorike të AND-së.
Ndërkohë, hulumtimet e Petro Zhejit u vërtetuan vetëm pak kohë më parë edhe nga revista prestigjioze “Science”, e cila në një artikull të fundit deklaron se vjetërsia e shqipes është 6000- vjeçare. Petro Zheji lindi në Tiranë në tetor të vitit 1929 dhe u shqua që në moshë të re për një talent të rrallë në zotërimin e gjuhëve të huaja.
Ai ishte zotërues i gjuhës italiane, franceze, spanjolle, angleze, gjermane, ruse, hebraishte, greqishten e vjetër, latinishten dhe sanskrishten e vjetër. Studiuesi, që me veprat e tij gërmoi në rrënjët e gjuhës shqipe për të vërtetuar teorinë se krahas gjuhëve të vjetra e të reja, shqipja kryeson që në lashtësi, ka qenë prezent për publikun me dy veprat e tij: “Libri i aforizmave”, “Shqipja dhe Sanskritishja” me dy vëllime.
Petro Zheji, krahas studimeve gjuhësore, do të kujtohet si mjeshtri i përkthimit, që përmes penës së tij shumë vepra botërore folën shqip: Ndër të tjerash “Ringjallja” e Leo Tolstoit, Vëllimi i dytë i kryeveprës “Don Kishoti” i Servantes, “Vitet e zemërimit” – John Steinbeck; “Zoti President” – Migel Asturias; “Galileo Galilei” – Bertold Breht. Petro Zheji ka qenë i martuar me aktoren Besa Imami, martesë nga e cila i lindi djali i tij i vetëm, Artur Zheji.
Petro Zheji (Gjirokastër, 16 tetor 1929 – Tiranë, 14 mars 2015) ka qenë ndër plejadën e përkthyesve më të arritur shqiptarë përgjatë regjimit komunist, mes Dhimitër Paskos, Jusuf Vrionit, Klio Evangjelit dhe Vedat Kokonës. Ka qenë vëllai i vogël i pedagogut, studiuesit dhe njeriut të letrave, Gjergj Zheji. Sipas Elsiet, përveçse përkthyes i admiruar i Aragonit, Asturiasit, Servantesit, Gonçarovit dhe Shashës, ai ka lënë dorëshkrim romanesh me temë të burgosur në spitalet psikiatrike në Shqipëri, një autobiografi dhe një monografi në gjuhën shqipe.
Për shërbimet e tij u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit”, si dhe njëra nga bibliotekat e lagjeve të Tiranës mban emrin e tij. Pas rënies së regjimit komunist, Zheji u mor me hulumtime vetjake duke kultivuar teori alternative gjuhësore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al