I ngacmuan gruan, i plagos me armë

Jul 7, 2012 | 14:26
Furgoni i qëlluar me armë

Ngacmuesit e së shoqes i hyjnë në shtëpi, u bën atentat dy herë me armë. Dy të rinj janë në gjendje të rëndë, ndërsa u plagosën dhe dy të tjerë që tentuan t’i ndihmonin. Ngjarja u shënua rreth orës 01:00 në fshatin “Asim Zeneli” në rrethin e Gjirokastrës. Sipas Policisë, dy prej të plagosurve, Panajot Xharahu, 19 vjeç dhe Erjon Krisafi, 24 vjeç, nga fshati Krinë, ishin personat të cilët ranë “viktimë” e hakmarrjes për një ngacmim seksual në adresë të një gruaje të martuar. Burri i 21-vjeçares S.K., Oskeol Hitaj, 25 vjeç, nga fshati Asim Zeneli, vuri “nderin” në vend, teksa plagosi dy herë brenda 120 minutash dy të rinjtë. Xharahu dhe Krisafi, të cilët kishin pikasur të renë gjatë një shëtitjeje në fshat, i kanë hyrë një aventure në mesnatë, duke i shkuar poshtë shtëpisë. I shoqi i 21-vjeçares, pasi ra në gjurmë të ngacmimeve jashtë shtëpisë dhe serenatave për gruan, nuk duroi dhe rrëmbeu çiften duke shtënë në drejtim të dy të rinjve, Krisafi e Xherahu, të cilët ranë përtokë nga goditja e saçmeve të çiftes në këmbë. Ashtu të gjakosur, ata janë tërhequr zvarrë nga Oskeoli brenda shtëpisë dhe kanë dhënë “llogari” para tij dhe të shoqes për ngacmimet. Më pas, Hitaj u ka marrë dokumentet e mjetit me të cilin qarkullonin dhe kartat e identitetit me argumentin se kjo çështje do të sqarohej të nesërmen, pasi të shkonin në shtëpitë e tyre. Ashtu këmba-dorazi, Xherahu dhe Krisafi, kanë dalë nga shtëpia e Oskeol Hitajt për të shkuar në spital. Ata kërkuan ndihmën e një shoferi të furgonit në fshat për t’i transportuar drejt spitalit të Gjirokastrës, pasi hemorragjia nuk kishte të ndalur. Ai që mori përsipër transportin e tyre drejt spitalit të Gjirokastrës ishte Sokol Hysaj, 50 vjeç dhe i biri i tij, Lato Hysaj. Mirëpo hakmarrja e të shoqit të gruas së ngacmuar nuk mbaroi këtu. Menjëherë ai hyri në shtëpi dhe rrëmbeu kësaj radhe jo armën e gjahut, por kallashnikovin ku e shkrehu në drejtim të furgonit me katër veta brenda. Plumbat e dalë nga tyta e automatikut kanë prekur të gjithë furgonin dhe plagosur për të dytën herë dy të rinjtë, si dhe shoferin me të birin. Kjo ngjarje ngriti në këmbë gjithë fshatin për shkak të krismave. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë parë të lënduar të katër personat brenda në furgon dhe menjëherë i kanë transportuar për në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Gjendja e dy të rinjve po agravohej edhe më tepër, ndonëse trajtimi mjekësor nuk u mungoi dhe për këtë u transportuan për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për ndërhyrje më të specializuar kirurgjikale, ndërsa babë e bir u mbajtën në spitalin e Gjirokastrës. Policia sekuestroi armën e gjahut, ndërsa ka shpallur në kërkim 25-vjeçarin.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura