I merr varësen nga qafa të moshuarës, arrestohet autori

Aug 30, 2012 | 13:30

TIRANE – Rikthehen përsëri grabitjet e dhunshme ndaj femrave në kryeqytet, duke u marrë bizhuteritë nga qafa. Një grua 70-vjeçare ka rënë pre e një sulmi tjetër të hajdutëve të varëseve të floririt, teksa po kthehej nga pazari drejt shtëpisë së saj në Tiranë. Edhe pse në mes të ditës dhe në një zonë të populluar, duke mos marrë parasysh edhe masat e policisë për rastet e vjedhjeve të varëse të floririt, autori sërish ka guxuar, duke sulmuar të moshuarën Lumturi Topulli. Megjithëse ka realizuar planin e tij, duke ia shkulur varësen nga qafa gruas së moshuar, autori nuk i është gëzuar për më tepër se 8 orë “triumfit” të tij, pasi është vënë në pranga nga Policia. Shërbimet e Komisariatit Nr.2 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë autorin e ngjarjes, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të martës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se i arrestuari është Durim Hasan Onuzi, 26 vjeç, me 3 klasë shkollë. Në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar edhe varësja e floririt që i kishte grabitur gruas së moshuar, të cilën ende nuk kishte arritur që ta shiste në ndonjë argjendari, ashtu sikurse ndodh në raste të tilla. Ngjarja për të cilën ai akuzohet dhe është identifikuar nga paraqitja për njohje me të dëmtuarën Topulli, ndodhi mesditën e së martës, në rrugën “Riza Cerova”, në Tiranë. Gruaja me origjinë nga Peja e Kosovës dhe banuese prej vitesh në rrugën “Tefta Tashko” në kryeqytet, ka qenë duke u kthyer në shtëpi në momentin kur një djali i ri është afruar pranë hyrjes së një pallati dhe i ka tërhequr me forcë varësen që mbante në qafë. Menjëherë të moshuarës i kanë ardhur në ndihmë disa kalimtarë, të cilët edhe kanë lajmëruar Policinë. Ndërsa disa orë pas ngjarjes, Policia ka arritur të arrestojë autorin. Burimet thanë se ndaj të dyshuarit Durim Onuzi kanë nisur verifikimet për ngjarje të tjera të ngjashme, që kanë ndodhur në kryeqytet, për të cilat ai mund të jetë autor.

© Panorama.al

Te lidhura