I kërkuar për prostitucion, dhunoi gjyqtarin në Fier

Feb 15, 2012 | 12:02

Pranga Arjan Kolvelajt. Gjykata e Breshias e dënoi me 15 vjet burg.

Dy vjet pasi dhunoi në mes të Fierit një gjyqtar të këtij rrethi, bie në pranga për një tjetër akuzë të rëndë. 50-vjeçari Arjan Kolvelaj u arrestua pasi Gjykata italiane e kishte dënuar atë me 15 vjet burg. Burime të Policisë bënë të ditur se Kolvelaj është dënuar për veprën penale “shfrytëzim të prostitucionit” nga Gjykata e Apelit në Breshia të Italisë. “Policia e Fierit bëri të mundur arrestimin e shtetasit Arjan Kokvelaj pasi për të është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar. Me vendim të datës 31.05.2009 të Gjykatës së Apelit në Breshia, Itali, ai është dënuar me 15 vjet burg për veprat penale të ‘shfrytëzimit të prostitucionit’ dhe ’emigracionit të paligjshëm klandestin’, vepra të cilat i ka kryer në shtetin italian”, bëri të ditur dje Policia e Fierit. Blutë nuk bënë të ditura të dhëna në lidhje me viktimat e prostitucionit, pasi dosja mësohet se është në Itali, aty ku i arrestuari do të vuajë edhe dënimin.
Emri i Kolvelajt ishte i njohur për policinë e Fierit. Ai ishte evidentuar edhe më parë si një person me precedentë penalë në fushën e trafiqeve dhe marrëdhënieve seksuale me dhunë. Për këto vepra të rënda, 50-vjeçari fierak ka kryer edhe dënimin. Ngjarja e fundit për të cilën u arrestua ndodhi tetorin e vitit 2009, kur Kolvelaj dhunoi në mes të Fierit një gjyqtar të Gjykatës së këtij rrethi. R. Jaupaj ndodhej i vetëm në njërën nga rrugët e lagjes “Kryengritja” në Fier kur është ndeshur me agresionin e Arjan Kokvelaj. Pas hetimeve rezultoi se Kokvelaj ishte takuar rastësisht me gjyqtarin në një lokal të kësaj lagjeje. Ai ka nisur të debatojë me gjyqtarin dhe më pas e ka dhunuar atë duke i shkaktuar edhe fraktura në trup. Pas ngjarjes, autori është futur në banesën e tij në një pallat në lagjen “11 Janari”. Ndërsa gjyqtari Jaupaj iu drejtuar policisë, nga ku kreu edhe kallëzimin për ngjarjen që i kishte ndodhur në mes të qytetit. Për afro tri orë policia i ka bërë thirrje për dorëzim, por autori i dhunës nuk është dorëzuar. Në këto kushte, policia ka përdorur forcë duke shpërthyer derën e banesës së tij dhe më pas i ka vënë prangat. Më pas ai u la i lirë, pasi Jaupaj tërhoqi denoncimin. Burime të Policisë së Fierit thanë se Kokvelaj e kishte kryer dënimin për veprat për të cilat ai ishte akuzuar në vendin tonë. Ndërkaq, në kohën kur ndodhi rrahja e gjyqtarit, Drejtësia italiane nuk e kishte shpallur ende atë si person në kërkim ndërkombëtar, pasi gjykata nuk ishte shprehur ende me verdiktin e saj. Pasi vendimi ka marrë formën e prerë, Drejtësia italiane e shpalli atë në kërkim.
FIER/ MAJLINDA RAMA

Vlorë, 30 të arrestuar në 10 ditë
VLORE – Gjatë 10 ditëve të fundit, policia e Vlorës ka arrestuar 30 persona për vepra të ndryshme penale, si dhe janë kapur 10 shtetas të shpallur në kërkim, kryesisht për veprat penale të vjedhjes, vjedhje me armë dhe plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu janë bllokuar 108 mjete me mangësi në dokumentacion, pa targa, me targa të falsifikuara, xhama të errët etj. Këto të dhëna u bënë të ditura dje nga Policia, e cila konfirmoi se është ende në vijim operacioni i nisur për evitimin e veprave të rënda penale, kryesisht grabitjeve, ngjarje të cilat tronditën qytetin. “Drejtoria e Policisë së qarkut Vlorë, në kuadër të planit të masave për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike në të gjithë territorin e qarkut, sidomos në zonat urbane, në të tria rrethet, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë, ka marrë masa për kontrollin e vendeve dhe automjeteve që dyshohet se përdoren nga persona të ndryshëm për të kryer veprimtari kriminale”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Policisë. Në këtë kuadër, shërbimet e policisë, në varësi të situatës, të mbështetura edhe nga forcat speciale, do të kryejnë kontrolle të alternuara gjatë ditës dhe natës në orare të ndryshme, me qëllim kapjen e personave në kërkim, të atyre që posedojnë armë zjarri apo të ftohta pa leje, si dhe për bllokimin e të gjitha mjeteve me mangësi në dokumentacion dhe me xhama të errët.                                                   q.b

© Panorama.al

Te lidhura