SHKODER – Gjykata e la në arrest shtëpie për vjedhje, por vijoi të vidhte me dhunë gratë, duke i këputur nga qafa varëset e floririt. Prej disa ditësh, policia kishte informacione për një grup kriminal që grabiste varëse floriri duke rrezikuar edhe jetën e viktimave. Për këtë shkak u organizua operacioni i koduar “Floriri”, dhe u arrestuan autorët që vepronin për kryerjen e veprave kriminale. Të arrestuarit janë shtetasit Klodian Sinaj dhe Albert Paja. “Këta dy persona janë autorë të më shumë se pesë vjedhjeve me dhunë që kanë ndodhur në harkun e një jave”, tha Policia. Mësohet se një prej ngjarjeve që u është adresuar autorësia dy të rinjve, është edhe ajo e grabitjes së një farmacisteje, ngjarje që ndodhi pak ditë më parë. Në bashkëpunim, Sinaj dhe Paja janë futur në farmaci dhe e kanë kërcënuar atë që t’u jepte paratë. Por farmacistja ka hezituar dhe nuk u është bindur. Të ndodhur në këto kushte, ata kanë vepruar në mënyrë të shpejtë duke i marrë dhunshëm varësen e floririt në qafë. Ata janë larguar me shpejtësi nga frika se mos hynin njerëz në farmaci, duke mos arritur të merrnin paratë e arkës. r.d











