I jepet lamtumira e fundit deputetit Gëzim Dibra

Aug 15, 2011 | 10:05
Dje, gjatë homazheve për deputetin e PD, Gëzim Dibra

Është përcjellë për në banesën e fundit deputeti i PD, Gëzim Dibra, i cili u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare. Fillimisht, në nderim të figurës së tij Bashkia Shkodër e kishte shpallur ditën e diel ditë zie për qytetin e Shkodrës. Për të nderuar deputetin Dibra, krahas qindra qytetarëve, të afërmve dhe familjarëve të tij kishin ardhur për t’i bërë homazhe dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit kryeministri i vendit, Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputet e PD, si dhe deputetë të PS të kryesuar nga Namik Dokle, përfaqësues të partive të tjera të Parlamentit Shqiptar, përfaqësues të Presidencës, të komuniteteve fetare etj. “Erdha këtu për të shprehur nderimin tim më të thellë, respektin më të madh për deputetin Gëzim Dibra, një njeri i mrekullueshëm, i cili me një aktivitet jo të gjatë politik, por la tek unë dhe tek të gjithë ato që patën fatin ta njohin përshtypjet së pari të një njeriu të mrekullueshëm, të një burri fisnik, të një njeriu të përkushtuar.”, u shpreh për mediat kryeministri Berisha. Nga ana e saj, Topalli shprehu dhimbjen në emër të të gjithë kolegëve. “Si kryetare e Parlamentit kam humbur një deputet të ndershëm, si Jozefinë kam humbur një mik, Shkodra ka humbur deputetin që mendonte për qytetin dhe punonte për të. Sot i bashkohemi familjes, bashkëshortes, Aidës, dhe vajzës së vogël që ka humbur babain e dashur”, tha Topalli. Ceremonia ka vijuar me marshet funebre të bandës së qytetit të Shkodrës nga ku është përcjellë më pas për në banesën e fundit në varrezat e qytetit.

© Panorama.al

Te lidhura