
Mblidhet Shtabi i Emergjencave: Komunat e Dibrës, 10 ditë të izoluara.
Banorët, të cilët dy ditët e fundit arritën të dilnin jashtë shtëpive, me qetësimin e përkohshëm të motit, dje janë detyruar të rimbyllen brenda, pasi stuhia e erës kufizonte dhe shikimin. Rinisja e reshjeve të dendura të borës ka mbledhur dje në këtë qytet, më problematiku në vend për këtë dimër, Shtabin e Emergjencave. Veç qytetit të Bulqizës është diskutuar për gjendjen e banorëve të komunave të thella të Dibrës, kryesisht ato në zonën e Gollobordës. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, prefekti Genci Sharku dhe deputetët e qarkut të Dibrës, Bedri Hoxha, Jemin Gjana dhe Selami Xhepa kanë diskutuar gjatë me drejtuesit e disa njësive vendore dhe drejtorë të institucioneve në këtë rreth për situatën e fundit, në veçanti për komunat Trebisht e Ostern, ku prej 10 ditësh ato janë të izoluara nga bora e rënë. Kryetarët e këtyre njësive, Fitim Balla e Razi Rami, thanë në linjë telefonike se nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë drejt qytetit të Bulqizës për të qenë të pranishëm në mbledhjen e parë të Shtabit të Emergjencave Civile, por kanë njoftuar të gjitha autoritetet e vendit, Kryeministrin Berisha, ministrin e Brendshëm Nishani dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile se situata në këto njësi është kritike dhe se jeta e banorëve po vihet në rrezik. Në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Emergjencave Bulqizë, nënprefekti Hamit Dervishi është shprehur se për fat të mirë nuk ka pasur emergjenca shëndetësore. Drejtori i rrugëve nacionale në Dibër raportoi se rikthimi i reshjeve, madje me intensitet gjatë orëve të pasdites, ka krijuar probleme serioze në lëvizjen e mjeteve. “Më problematike, – tha Durim Balla, gjendja paraqitet nga Qafa e Buallit e deri te Pishat. -Mjetet borëpastruese hapin rrugën, era e fortë e rimbyll përsëri. Çdo një orë rruga bllokohet. Kanë mbërritur dy mjete të Ministrisë së Mbrojtjes, por për shkak të situatës së krijuar duhen edhe mjete të tjera, ndryshe gjendja do të vijë duke u renduar”, theksoi ai. Ministri Tafaj u kërkoi të zgjedhurve vendorë dhe drejtorëve të ndërmarrjeve e institucioneve të evidentojnë familjet problematike dhe të ndihmohen me ushqime. Prefekti i qarkut të Dibrës, në rolin e kryetarit të Shtabit të Emergjencave Civile, tha se komunat Lurë, Sllovë, Selishtë, Kala e Dodës, Trebisht e Ostren janë ende të bllokuara për shkak të trashësisë së madhe të borës, e cila në disa fshatra është mbi dy metra. BULQIZE/ HASAN PASHA
Burrel, komunarët: Jemi të bllokuar
Shtabi i Emergjencave Civile u mblodh dje për rrethin e Matit. Kryetarë të njësive vendore, drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve kanë ngritur shqetësimet e tyre, por si më shqetësues kanë cilësuar bllokimin e rrugëve. Fshatrat Selixë, Ketë, Lami i Madh, Zallë-Gjoçaj, Vinjollë, Frankth mbeten ende nën mbretërinë e borës dhe akullit. Sipas kryetarit të Xibrit, Lufti Çeka, 500 familje në një fshat të thellë të kësaj komune jetojnë ditë mjaft të vështira. Kryetari i Rukajve, Hamit Xhakrosa, nënvizoi se e ka gjetur arkën e komunës bosh dhe se nga strukturat shtetërore nuk lëvrojnë para për situata emergjente. “Ne hartojmë projekte, harxhojmë para për përgatitjen e tyre, ndërkohë nuk financohemi nga shteti as në raste emergjence”, deklaroi kryetari i Lisit, Agim Selita. Ai shtoi se jeta e 400 nxënësve të Shkollës së Mesme të Bashkuar Lis vihet në rrezik pas rrëshqitjes së një masivi mbi shkollën e komunës. Sipas kryetarëve të organeve të qeverisjes vendore, janë më shumë se 10 raste kur janë konstatuar djegie të transformatorëve dhe CEZ nuk i zëvendëson ato, por konsumatorët i kanë blerë privatisht. h.p
SHKODER: Era e fortë bllokon ndihmat
Pas një ndërprerjeje të shkurtër, rifillojnë reshjet e dëborës në qarkun e Shkodrës. Gjatë ditës së premte, i gjithë qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshet e dëborës, të cilat pasdite kanë qenë të pranishme edhe brenda në qytet. Pas një jave pushimi, në qytetin e Shkodrës janë rikthyer reshjet e dëborës. Ato kanë filluar rreth orës 15:30 dhe kanë vazhduar të shoqëruara edhe me erë. Reshjet kanë sjellë sërish probleme në akset rrugore, një pjesë e të cilave sapo ishte hapur. Të bllokuara mbetet sërish aksi i Iballës në rrethin e Pukës, si dhe aksi i Selcë–Vermoshi në rrethin Malësisë së Madhe. Në rrethin Shkodër (për komunat Shllak dhe Shalë), me gjithë përpjekjet e bëra për t’i transportuar në rrugë ajrore ndihmat ushqimore të ardhura nga rezervat materiale të shtetit, operacioni nuk është realizuar si pasojë e kushteve tepër të vështira atmosferike. Ndërsa në rrethin e Pukës, gjatë ditës së djeshme kanë filluar procedurat e shpërndarjes së 300 pakove ushqimore nga nënprefektura nëpër komunat e izoluara. r.d
Ministri Nishani në Tropojë për situatën
TROPOJE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ishte dje në Tropojë për të ndjekur nga afër situatën e motit. Ai udhëtoi nëpërmjet Rrugës së Kombit dhe pas inspektimit të saj, kaloi nëpërmjet pikëkalimit kufitar të Morinit. Më pas ministri kaloi në Prizren, në Gjakovë, për të mbërritur në Bajram Curri. Të njëjtin itinerar ka ndjekur edhe në kthim. “Ne jemi në gatishmëri të plotë me forca dhe mjete për të përballuar çdo situatë në rajonin tuaj. Baza e helikopterëve është në gatishmëri për çdo emergjencë shëndetësorë apo nevojë që do të kenë banorët e izoluar. Problemi kryesor duhet të jetë mbajtja e rrugëve të hapura, si ato nacionale, ashtu dhe ruralet, në mënyrë që të mos izolohen zonat e banuara dhe të mos shkëputet komunikimi mes qendrave”, u shpreh ministri Nishani. Sipas tij, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Emergjencave Civile janë gati të nisin dhe operacionet humanitare për të shpërndarë miell, ushqime e ilaçe aty ku ka nevojë. “Kryetarët e njësive vendore, në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave duhet të listojnë njerëzit që kanë nevoja për ushqime, veshmbathje apo ilaçe. Ne jemi gati të nisim operacionin si nga toka, ashtu edhe nga ajri”, u shpreh më tej ministri Nishani, pasi u njoh me situatën e krijuar në rajonin e Tropojës.
Reshjet e dëborës kanë rinisur duke bërë që deri në mbrëmje trashësia e saj të rritet edhe me 10 cm të tjera, duke arritur gati në 1.5 metra në mjaft zona të thella. j.h
Rrugët e bllokuara
. B.Curri – Valbonë
. Krumë – B. Curri
. Bushtricë – Kala e Dodës në drejtim të Peshkopisë
. Shëmri – Qafë Shllak
. Topojan – Shishtavec
. Arras – Zall Dardhë – Reç
. Stëblevë – Librazhd
. Arras – Lurë
. Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak
. Bogë – Theth, Selcë – Vermosh
. Akset në drejtim te Dukagjinit
. Qafë-Mali – Dardhë – Fierzë
. Fushë-Arrës – Iballë
. Librazhd – Bulqizë
Ngrijnë tubot e ujit, banorët i shkrijnë me zjarre
Në shumë pallate banimi në qytetin e Kukësit, por dhe në shumë fshatra, tubacionet e ujit të pijshëm kanë ngrirë nga temperaturat e
ulëta, duke lënë banorët prej ditësh pa ujë. Tubacionet janë ngrirë edhe në tokë ose në muret e pallateve, por sidomos në vendet ku ata janë të zbuluar nga amortizimi apo në kasetat shpërndarëse. Shkrirja e tubave nga banorët është një aventurë më vete. Ata ndezin zjarre te tubat e zbuluar, në mënyrë që të nxehet deri në skuqje dhe të bëhet zhbllokimi i pjesëve në mure nga tejçimi i nxehtësisë. Shpeshherë po përdoren dhe llambat me benzinë, që kanë temperaturë më të lartë. Por zhbllokimi i tubacioneve dhe ardhja e ujit nuk zgjat më shumë se dy orë, sepse nga temperaturat e ulëta sërish tubat ngrijnë. Në shumë raste, banorët kanë sharruar pjesët e ngrira për t’i zëvendësuar me të reja. Fakti që në Kukës nuk ka ujë të vazhdueshëm bën që ngrirja në këto temperatura është e pashmangshme. j.h
“Sfidë dimrit prej 2 muajsh për të ardhurat e familjes”
Guri Rreshnja: I flasim njëri-tjetrit për të mos na ndodhur ndonjë gjë
Punëtori i rrugëve tregon ditët e tij që pas nisjes së borës

Qyteti i Korçës ndodhet nën mbretërinë e borës prej 20 dhjetorit të shkuar. Me gjithë bukurinë në pamje të parë, banorët e kanë humbur jetesën normale, pasi dimrit duket nuk se po i vjen fundi. Këtë fakt e tregojnë dhe punëtorët e pastrimit të rrugëve, që prej javësh nuk kanë ndalur lopatat për të hapur rrugët e qytetit. Njëri prej tyre, Guri Rreshnja, tregon se për t’i siguruar pak të ardhura familjes po sfidon dimrin, pasi thuajse çdo ditë përballet me të në një luftë të ashpër mbijetese.
Si e nisni ditën tuaj të punës?
Për ne nuk ka një rutinë, herë ditën e nisim duke u zgjuar nga gjumi për të shkuar në punë, e ditë të tjera mëngjesi na gjen duke punuar, pas një nate të gjatë e sfilitëse.
Nuk keni orar të caktuar për të punuar?
Bora nuk ka një orar, kështu që edhe ne varemi prej saj. Sa herë bie borë, sa herë në rrugë ka akull, edhe ne jemi në punë, pavarësisht se mund të jetë tepër ftohtë.
Ju deri në sa orë punoni?
Firma duhet të jetë në gatishmëri të plotë 24 orë, ndaj ne, në varësi të reshjeve të borës, mund të punojmë edhe deri në 16 orë dhe të paguhemi për dy turne.
Ju keni një rrogë të kënaqshme?
Punoj nga nevoja, se kam familje dhe kam kërkesa ndaj vetes, përndryshe nuk do të përballesha me të ftohtin me dhe pa orar.
A është e vështirë të qëndrosh për orë të tëra në mes të këtij të ftohti?
Si jo, askush nuk do të kishte guximin të qëndronte thjesht një orë në ato rrethana që punojmë ne e jo më të përballej me këtë mot aq të ftohtë për orë të tëra pa pushim. Të them të drejtën, ndonjëherë edhe nga i ftohti, por edhe nga lodhja, ndjehemi të këputur dhe na kap dëshira për të marrë një sy gjumë, por kontrollojmë njëri-tjetrin, se e dimë që kjo do të na kushtonte shumë.
Pse atëherë rrugët kanë borë edhe akull që prej dhjetorit?
Sepse nuk është e lehtë, ne punojmë dhe puna jonë nuk duket. Edhe kur bie borë ne i pastrojmë rrugët, por ç’mund të bëjmë nëse vazhdon të bjerë dhe rrugët bëhen prapë të bardha? Askush nga ne nuk mund t’ia lejojë vetes aq luks sa të thotë se gjoja punon, se na rrinë mbi kokë dhe kontrollojnë si e bëjmë punën, kështu që jemi të detyruar ta pastrojmë mirë çdo skaj të rrugës. Të gjithë nga nevoja e bëjmë punën, kështu që luftojmë për ta mbajtur atë vend.
E kaloni një pjesë të madhe të kohës me borën dhe akullin, a jeni mësuar me to?
Jo, aspak. Çdo ditë nisem në punë me frikën se mund të ndodhë diçka e keqe, një aksident në punë, një rrëshqitje, të thyej ndonjë gjymtyrë apo edhe më keq, të humbas në mes të borës dhe mos të dal dot. Duhet kurajo që të çohesh dhe të shkosh në punë, të mos i ndiesh duart edhe këmbët nga i ftohti e të të dhembin çdo herë që përdor veglat e punës sikur do të thyhen, ngaqë i ke të ngrira akull.
Si e organizoni punën?
Fillimisht hapen rrugët kryesore nga mjete borëpastruese, më tej ne punojmë me lopata atje ku nuk ka kapur mjeti, pastaj nisim nga kriposja. Me pjesën e pasme të tehut të lopatës bëjmë hedhjen e kripës, në mënyrë që të hapet mirë në të gjithë sipërfaqen dhe të shkrijë. Po kështu, vazhdojmë edhe me trotuaret, fillimisht mundohemi të hapim nga një shteg në mes duke e hedhur borën majtas dhe djathtas, pastaj e kriposim. Në rastet kur bie borë, përdorim edhe disa furça të mëdha e të ashpra për ta shpërndarë borën anëve të trotuarit.
Si i mbijetoni këtij realiteti?
Si i mbijetoj? Nga nevoja, vetëm kaq. Çohem nga shtrati dhe numëroj edhe sa ditë duhet të kalojnë për të marrë rrogën, kaq. Nuk ka formë tjetër mbijetese përveç ndjenjës së detyrës. Jam i vetëdijshëm se sa e vështirë është të kesh një vend pune, kur s’je edhe i arsimuar sa duhet. Unë kam 3 fëmijë dhe dua që ata të ecin përpara, të vazhdojnë shkollën, ndaj punoj me sa fuqi të kem që të kenë mundësi të shkollohen dhe të mos punojnë si unë.
KORÇE/DHORJELA DEMKOLLI











