I famshëm në të gjithë botën nëntëvjeçari “Monet” që shet pikturat brenda 15 minutave, që tani milioner

Jul 13, 2012 | 14:04

Një gjeni arti, nëntë vjeç, i njohur si mini-Monet, është bërë milioner. Koleksioni i pikturave të tij të fundit, 24 copë, u shit për 250 000 paund brenda 15 minutave. Por, shitjet kanë nisur tre vjet më parë. Peizazhet e Kieron Uilliamson nga Norfolk janë shitur menjëherë pas publikimit në internet në faqet e shitjes së veprave të artit, dhe gjetën pronarë të rinj nga e gjithë bota. Djali ka nisur të pikturojë në vitin 2008 gjatë një udhëtimi të familjes së tij. Përpara kësaj, thjesht kishte ngjyrosur dinozaurë që prindërit e tij i vizatonin për të. Por, që kur nisi të pikturojë peizazhe, ai është spikatur nga kritikët si sensacion i artit ndërkombëtar me disa nga punët e tij të shitura dhjetëra mijëra paund. Dy prej peizazheve të tij të fundit u shitën 34 950 paund (rreth 38 mijë euro) secili, ndërsa dy punë në pastele, për të cilat nëntëvjeçarit iu deshën vetëm pak minuta për t’i pikturuar, u shitën nga 6000 dhe 7000 paund. Për herë të parë punët e Kieron u paraqitën në treg në vitin 2009 dhe të 19 pikturat e tij u shitën për 14 000 paund. Tre muaj më pas, 16 piktura të tjera të djalit, në atë kohë gjashtë vjeç, u shitën për 17 000 paund brenda 14 minutave në galerinë “Picturecraft”. Ai ka fituar në nëntorin e kaluar 106 260 paund, kur 12 piktura të paraqitura në një ekspozitë të tij u shitën brenda 11 minutave. Blerësit e tij kanë udhëtuar nga Arizona, Nju Jorku dhe Afrika e Jugut për të marrë veprat. Shumë fansa të djalit kanë qëndruar edhe 48 orë para galerive ku do të paraqiteshin veprat e tij për të mos humbur pa parë asnjë prej pikturave, ndërsa simpatizues të tjerë kanë prenotuar vepra duke telefonuar nga Tokio, Kanadaja dhe Gjermania. Piktura e tij më e shtrenjtë u shit 42 500 paund dhe paraqiste portin “Mevagissey” në Kornuoll, e cila u ble nga një komani sigurimesh dhe tani varet në dhomën e bordit drejtues të saj.

© Panorama.al

Te lidhura