I dënuari me 25 vjet kërcënon vetëvrasjen: Jam i pafajshëm

Jun 14, 2011 | 11:27
Burgu i Fushë-Krujës

FUSHE-KRUJE – Vetëizolohet duke mos pranuar të dalë nga qelia dhe duke kërcënuar vetëflijimin, pasi mbahet me pa të drejtë në burg. Ilir Tafili, i dënuar për vrasje, qëndroi 12 orë duke kërcënuar se do të vetëdigjej nëse nuk i shqyrtohej dosja e krimit për të cilin ai akuzohet. Shkëlqim Kalemi, drejtor i Burgut të Fushë- Krujës, u shpreh se ” Ilir Tafili është dënuar me 25 vite burg për veprën penale të “grabitjes me pasoja vdekjen”. Ai ka vuajtur deri tani 14 vite burg. Por, tashmë pretendon se është i pafajshëm dhe është dënuar padrejtësisht nga ana e gjykatës. Sapo jam njohur me shqetësimin e tij, unë kam kontaktuar me Ilir Tafilin në së bashku me drejtues të tjerë të Burgut dhe juristin, duke i bërë të qartë se nuk është zgjidhja kërcënimi që ai bën. Unë i kam bërë të qartë rrugët ligjore që duhet të ndjekë në mënyrë institucionale dhe i kam lënë në dispozicion për plotësimin e dokumentacioneve juristin e Burgut, duke e bindur që të heqë dorë nga kërcënimi për vetëflijim. Ai është bindur dhe është qetësuar”, u shpreh drejtori i Burgut. Mësohet se Tafili i ka drejtuar edhe një letër presidentit të vendit, duke pretenduar pafajësinë. Ai kërcënoi se do të digjte veten, nëse ndaj tij nuk vendosej drejtësia që pretendon se i është mohuar. Tafili është mbyllur në dhomën e izolimit, duke bllokuar edhe dritaret, që të mos kishin mundësi ta shihnin policët e Burgut. Pas disa orë negociatash, gjithçka është zgjidhur me normalitet të plotë. Ilir tafili është akuzuar për një vrasje të ndodhur në vitin 1997 në fshatin Shullaz të Kurbinit. Viktima, Tonin Brazhdari, tregtar ushqimoreje me shumicë në Mirditë, po lëvizte nga Rrësheni për në Tiranë për të marrë furnizimin. Rreth orës 05:20 të mëngjesit, në fshatin Shullaz ai ka hasur në pritën e dy personave të armatosur, të cilët i kanë bërë shenjë të ndalojë. Tregtari nuk ka ndaluar, ndaj personat që i kanë zënë pritë, kanë qëlluar me breshëri automatike duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij. Policia gjeti në vendin e ngjarjes maskat, si dhe gjurmë të tjera që ndihmuan në identifikimin e autorëve. Bashkë me Ilir Tafilin është arrestuar edhe djali i xhaxhit të tij, A. Tafili, por në momentin e arrestimit dhe gjatë gjykimit, Ilir Tafili ka deklaruar se ai është autori i “grabitjes me pasoja vdekjen” e Tonin Brazhdarit.

Tafili pranoi krimin

Pranimi i krimit dhe provat e pakontestueshme të Prokurorisë kanë bërë që Gjykata e Kurbinit të japë masën e dënimit me 25 vite burg për Ilir Tafilin, ndërsa ka lënë të lirë djalin e xhaxhait të tij, bazuar në pranimin e vrasjes nga Ilir Tafili, duke pretenduar se ka qenë i vetëm në momentin e krimit.

© Panorama.al

Te lidhura