I dehur pas finales Spanjë-Itali, polici plagos me armën e shërbimit

Jul 3, 2012 | 13:36
Komisariati i Policisë së Vlorës

VLORE – Konsumoi alkool gjatë finales së Spanjë-Itali, efektivi i Policisë plagos me armën e shërbimit në mes të Vlorës. Policia bëri të ditur se arrestoi shtetasit Luan Sinaj, 38 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë për Kufirin dhe Migracionin, si dhe 50-vjeçarin Alfred Nikaj, që të dy nga Vlora. Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, kur në qytet kishte ende qarkullim të mjeteve. Pas një debati për një fërkim të mjeteve, oficeri i Policisë ka nxjerrë armën pistoletë të shërbimit, duke plagosur shtetasin F.Mersini. “Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi rreth orës 23:30 të së dielës, përballë shkollës së mesme “Ali Demi”, pas një aksidenti rrugor të ndodhur midis automjeteve tip “Renault” me targa VL 2054 D brenda të cilit ndodheshin shtetasit F. dhe A. Mersini (babë e bir) , dhe automjetit tip “Mercedes-Benz” me targa VL 4280 C, ku ndodheshin shtetasit Alfred Nikaj dhe Luan Sinaj, ky i fundit ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit F. Mersini duke e plagosur atë”, bëri të ditur Policia. Mësohet se fillimisht personat e përfshirë në aksident kanë debatuar ashpër dhe më pas janë qëlluar edhe me grushte mes tyre. Policia është sinjalizuar për sherrin dhe është nisur drejt vendit të ngjarjes për të neutralizuar situatën. Por, pa mbërritur ende kolegët e tij, 38-vjeçari Sinaj ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të F. Mersinit duke e lënë të plagosur në shpatullën e djathtë. Policia mbërriti pak momente më pas dhe ndërhyri duke i marrë armën efektivit. Të gjithë personat e përfshirë në konflikt u dërguan në spital, por në gjendje më të rëndë ndodhej i plagosuri me armë, i cili pas ndihmës së parë dhe ndërhyrjes kirurgjikale e kaloi rrezikun për jetën. Pas marrjes së mjekimit, policia kreu arrestimin e Luan Sinajt dhe Alfred Nikajt për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. Policia bëri të ditur se të dyja palët kanë qenë duke ndjekur ndeshjen dhe në momentin e ngjarjes po ktheheshin në banesat e tyre. Pas përmirësimit në spital, i plagosuri ka deponuar për grupin e hetimit ngjarjen. Ai ka deklaruar se fajin e ndodhjes së aksidentit e ka pasur shoferi i mjetit tjetër, Alfred Nikaj, i cili tentoi t’ia hidhte fajin djalit të tij. “Punonjësi i Policisë dhe drejtuesi i mjetit filluan të më fyenin dhe më pas përdorën dhunën ndaj meje e djalit tim. Më pas, efektivi i Policisë nxori armën dhe qëlloi ndaj meje dy herë. Fatmirësisht, vetëm njëri plumb më qëlloi në shpatull”, është shprehur i plagosuri.                        q.b

DEKLARIMI
Dy të arrestuarit deklaruan pas ngjarjes se pas aksidentit babë e bir i kishin fyer ata. “Unë kam dashur të shuaj sherrin mes drejtuesit të automjetit dhe dy personave të tjerë, por nuk mbaj mend të kem qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit F. Mersini”. Kështu mësohet se ka deklaruar para kolegëve të tij 38-vjeçari Sinaj. Edhe dëshmitarë në vendin e ngjarjes deponuan se ata dukeshin në gjendje të dehur. Dyshohet se të dy të arrestuarit kanë konsumuar alkool teksa shihnin finalen e Europianit.

© Panorama.al

Te lidhura