Hyka, “heroi” i Luzernit, siglon golin e barazimit

Aug 8, 2011 | 12:49

Jahmir Hyka ka shënuar golin e vetëm të Luzernit në barazimin  djeshëm ndaj Jang Bojs në fushën e vet. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 61-të të pjesës së dytë në vend të sulmuesit kryesor të skuadrës së Luzernit, Siegrist dhe pas 24 minutash lojë arriti që të barazonte rezultatin (miqtë kishin shënuar më përpara me anë të Majuka në minutën e 48-të). Para golit, Hyka kishte provuar edhe dy herë te tjera, duke rrezikuar seriozisht portën e portierit të Jang Bojs. Ndërkaq, pas shënimit të golit mesfushori shqiptar është ekzaltuar aq sa ka hequr edhe fanellën çka e ka penalizuar atë me një karton të verdhë të nxjerrë direkt nga ana e arbitrit të ndeshjes. Me këtë barazim Luzerni arriti që të ruajë vendin e parë në kampionatin zviceran të futbollit duke sigluar deri tani 2 barazime dhe 2 fitore në katër javë kampionat (8 pikë). Hyka iu bashkua kësaj skuadre vetëm në fillim të muajit korrik dhe firmosi një kontratë nga e cila përfiton rreth 140 mijë euro në sezon (sa dyfishi i asaj që merret te Tirana). Me këtë gol mesfushori duket se ka arritur që të bindë përfundimisht edhe trajnerin për cilësitë e tij, çka pritet që në takimet e tjera ai të ketë më shumë minuta aktivizim, pse jo edhe si titullar.

© Panorama.al

Te lidhura