Sulmuesi i Holandës kritikon trajnerin për skemën e përdorur kundër Danimarkës.
“Van der Vart dhe unë do luanim titullarë, mungoi fantazia”
Klas-Jan Huntelar ka zyrtarizuar marrëdhënien tepër të keqe me trajnerin Van Marvijk. Sulmuesi ka pranuar se shpërdoroi një rast të mirë në ndeshjen kundër Danimarkës por që, sipas tij, fajin e humbjes e kishte trajneri.
“Është e vërtetë që pata një rast shumë të mirë për shënim, por fati nuk ishte me mua. Portieri lëvizi mjaft shpejt dhe më zuri rrezen. Ishte e vështirë që të bëja më shumë se aq. Më vjen keq, pasi mund të kisha ndryshuar fatin e takimit”, – deklaroi Huntelar. Më pas, ai nuk u kursye në kritika kundrejt trajnerit Van Marvijk. “Jam munduar disa herë të flas me trajnerin, por ai ka qenë me nerva dhe nuk kemi diskutuar dot. Madje, edhe në rastet kur i kam shprehur idetë që kam për sa i përket mënyrës se si duhet të luajmë, ai nuk i ka mirëpritur. Pavarësisht se krijuam disa raste të mira për shënim, ne do kishim realizuar një fitore pa probleme, nëse do luanim me ndryshime në formacion. Në fushë duhet të ishte që nga minuta e parë Van der Vart, pasi ai u jep më shumë fantazi aksioneve dhe krijon më tepër mundësi për shënim me anë pasimet. Duhet të luante në vendin e Afelajt apo Robenit dhe, në këtë mënyrë, do t’i jepte edhe Shnajderit më shumë hapësira. Gjithashtu do të ishte më mirë në qoftë se unë do të luaja që nga minuta e parë. Jo sepse Van Persi nuk e meriton, por sepse ai aktivizohet jashtë rolit. Ai do të ishte i shkëlqyer nëse do luante më i tërhequr, pasi nuk arrin të ushtrojë presing te mbrojtësit kundërshtarë, apo të bëjë rolin e ‘pykës’. Pra, ishin disa probleme taktike, të cilat do ta kishin ndryshuar rrjedhën e lojës”, – u shpreh sulmuesi i Shalkes. – “Nuk ka të bëjë vetëm me pakënaqësitë e mia ndaj trajnerit, pasi ka edhe lojtarë të tjerë që kanë mendime të kundërta me Van Marvijk”. Për ndeshjen e radhës kundër Gjermanisë, ai shtoi: “Na duhet vetëm fitorja dhe nuk kemi asnjë mundësi tjetër zgjedhjeje. Nuk mund të dështojmë që në fazën në grupe”.
Lëv: Me Holandën shihni Gjermaninë time
Tensioni 24 orë pas fitores me Portugalinë duket shumë më i zbehur te gjermanët. Objektivi i 3 pikëve u arrit bukur apo shëmtuar dhe kaq mjafton që Joakim Lëv të premtojë një Gjermani më argëtuese në sfidën me Holandën. “Kjo fitore i jep skuadrës hovin e parë, rrit në maksimum moralin, por unë jam i ndërgjegjshëm se kemi ende punë për të bërë. Tani duhet të hyjmë në lojën tonë të zakonshme, sepse nuk ka më kohë për eksperimente”, – shprehet Jogi. Në Kharkivë, të mërkurën, rekordmenët e turneut kanë shansin të nxjerrin jashtë Europianit një rival direkt si Holanda. “Do të kisha dashur që Holanda të barazonte. Tani ata janë me shpatulla pas murit dhe luajnë për jetë a vdekje kundër nesh. Gjithsesi, kjo ka për ta bërë ndeshjen më interesante. Do të shikoni spektakël”.
Keirosh: Portugalia është vetëm Ronaldo
Ish-trajneri i Portugalisë në vitet 2008-2010, Karlos Keirosh, tashmë teknik i Iranit, ka thumbuar pasardhësin e tij, Paolo Bento pas humbjes me Gjermaninë. Sipas tij, Portugalia aktuale është në mëshirë të Ronaldos dhe ka humbur bukurinë e dikurshme kur drejtohej nga ky i fundit. “Pa asnjë dyshim se Portugalia nuk ka mesfushorë cilësorë si dikur. Gjithsesi, kjo skuadër ka ende një ndër repartet sulmuese më të forta në Europian. E pashë ndeshjen dhe gjithë loja u përqendrua te Ronaldo dhe prit ndonjë magji nga ai. Pashë probleme në mbrojtje dhe lojtarë që nuk arrinin dot të ruanin qetësinë nën presionin e kundërshtarit dhe kjo i kushtoi edhe humbjen”, ka analizuar Keirosh.
Tre futbollistë ngacmohen seksualisht
Tre futbollistë të Suedisë mund të konsiderohen viktima të ngacmimeve me natyrë seksuale. Një gjë e tillë ka ndodhur që kur ka nisur aventura e tyre në Kampionatin Europian. Tobias Hisen, Joan Elmander dhe kosovari Emir Bajrami kanë marrë një sërë mesazhesh me përmbajtje seksuale. “Bëhet fjalë për një ngacmim seksual, – ka deklaruar Hisen, – por unë jam përpjekur gjatë gjithë kohës që të mos kushtëzohem nga këto gjëra”. Elmander ka preferuar të minimizojë situatën: “Disa njerëz më kanë përndjekur duke u ofruar që të martoheshin me mua. Por, jam përpjekur që t’u shpjegoj se kam një familje të lumtur”. Ndërkohë, Bajrami është vënë në dijeni të situatës nga disa miqtë e tij: “Ka pasur disa femra në internet, të cilat kanë kërkuar flirte me mua”.











