Humbet Shqipëria, dështon Gega

Sep 7, 2012 | 13:59

U-21/ Kuqezinjtë i mbyllin me humbje dhe në vend të fundit kualifikimet

Shqipëria “e vogël”, e drejtuar nga Skënder Gega, i ka mbyllur me humbje dje kualifikimet për Europianin e moshës, i cili do të zhvillohet në vitin 2013. Shpresat humbën në Moldavi përballë homologëve të tyre me rezultatin 2-1, duke sigluar dështimin e parashikuar, tashmë të vulosur nga tekniku Skënder Gega. Ky i fundit nuk arriti as ndaj një skuadre si Moldavia (teorikisht më e dobët se ekipi ynë) që të paktën të merrte një barazim. Sakaq, ra në sy forma e shkëlqyer e portierit të Bylisit, Stivi Frashëri. Ky i fundit priti dy penallti në këtë ndeshje, por në të parën topi i grushtuar prej tij shkoi sërish në këmbët e lojtarit moldav, i cili arriti gjithsesi të shënojë. Ishte mbrojtësi kosovar i Besës së Kavajës, Fejzullahu, ai që pengoi në zonë sulmuesin moldav Ginsari dhe për arbitrin nga Luksemburgu është penallti e karton i verdhë ndaj mbrojtësit tonë. Gjuan Hakeaturov, pret Frashëri. Gjuan sërish mbrojtësi moldav dhe këtë herë shënon. Mirëpo vuajtjet e skuadrës sonë nuk do mbaronim me kaq, sepse pas vetëm 7 minutash vendësit fitojnë sërish një penallti. Qendërmbrojtësi i Kukësit, Elvis Prençi, ndalon në mënyrë të parregullt lojtarin e Moldavisë, Nikologlo, dhe arbitri vërshëllen për 11-metërsh. Këtë herë gjuan Ginsari, por Frashëri pret, duke e larguar topin në korne. Pas grushtimit të penalltisë kuqezinjtë marrin zemër, por as Bala dhe as Vajushi nuk arrijnë ta rrezikojnë portën e moldavëve. Edhe pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtin ritëm, paçka se të dy trajnerët bënë zëvendësimet që i menduan si më të përshtatshme.

Moldavi-Shqipëri 2-1
Shënues:
Hakeaturov 8’, Leuka 87’/ Premçi 90+2’
Kartonë të verdhë: Jardan 29’, Bogiu 36’, Rusu 71’, Ginsari 81’/ Fejzullahu 8’, Frashëri 15’
Gjyqtarë: Kris Reish/ M.Tropeano dhe A.De Karolis (LUX)
Moldavia: Rusu, Jardan, Hakeaturov, Skripkenko, Antoniuk, Vremea, Nikologlo, Georgiev (Prodan 66’), Çeptine (Leuka 60’), Ginsari, Bogiu (Mandrinçenko 90’). Trajner: Aleksandër Kurteian
Shqipëria: Frashëri, Matoshi, Sallaj, Prençi, Bajraktari, Hasani (Shkurtaj 46’), Brahimi, Deliallisi (Taipi 72’), Vajushi, Fejzullahu (Dita 58’), Balaj. Trajner: Skënder Gega

© Panorama.al

Te lidhura