Humb Kombëtarja. Dy gafa në mbrojtje dhe Shaqiri shuajnë zjarrin kuq e zi

Sep 12, 2012 | 13:12

Zvicër-Shqipëri 2-0

Kosovari i Bajernit shënon por s’feston, ndërsa Xhaka na fal golin e tretë.

Dy gafa në mbrojtje zbehin festën e tifozëve kuqezinj.

Shqipëria mbetet e vogël edhe në Zvicër. Pavarësisht numrit të jashtëzakonshëm të tifozëve në shkallët e stadiumit, pavarësisht atmosferës elektrizuese të krijuar nga këta të fundit, pavarësisht supershpërblimit të vënë nga Federata, përsëri nuk arrijmë dot të bëjmë diferencën, as me vetveten. Dy gafa të pafalshme, totalisht të evitueshme, një lojë me shumë pasime, por pa organizim dhe një sulm që nuk të ngroh, bënë që kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani de Biazi të dilnin kokulur nga Luzerna. Humbim 2-0 dhe na ndëshkon njëri prej atyre lojtarëve që i kemi lakuar thuajse në të gjitha rasat e gjuhës shqipe gjatë këtyre ditëve: Xherdan Shaqiri. Mesfushori me tipare sulmuesi i Bajernit të Mynihut shfrytëzoi më së miri një hutim të Mavrajt dhe Canës në qendër të mbrojtjes dhe, falë një karamboli të topit, doli përballë Ujkanit duke mos na falur. Ndërsa “vulën” kësaj fitoreje ia vuri kapiteni i helvetëve, Gokhan Inler, i ndihmuar jashtëzakonisht shumë nga gafa e pafalshme e Armend Dallkut.
Ndeshja – Nën një atmosferë të jashtëzakonshme, krijuar nga më shumë se 10 mijë tifozë shqiptarë në stadiumin e Luzernës, tekniku De Biazi hedh në fushë një skuadër teorikisht më të kujdesshme se ndaj Qipros dhe me direktiva tejet të ndryshme. Kjo pasi luanim vetëm me Bogdanin përpara, i ndihmuar nga Meha dhe me një mesfushë e mbrojtje tejet të ngjeshur që të paktën deri gati në mesin e pjesës së parë nuk e kaloi veçse një herë seriozisht gjysmëfushën zvicerane. Dallku dhe Vila nga e djathta nuk shtynin thuajse fare drejt sulmit, ndërsa ata pak topa vertikalë për kokën e Bogdanit erdhën nga e majta e Agollit. Meha tentoi më së shumti të gjente ndonjë rast për të gjuajtur nga larg, ndërsa Bulku dhe Kukeli ishin nën presion të vazhdueshëm nga dyshja homologe Inler-Behrami. Por problemi më i madh për Shqipërinë vjen nga kosovarët e Zvicrës Shaqiri dhe Xhaka, të cilët lëvizin shumë në të dyja krahët, duke krijuar hapësira dhe pështjelluar pa fund mbrojtjen tonë. Kaq mjaftoi që në rastin e parë të krijuar para portës sonë, kjo edhe për shkak të hutimit të Mavrajt, Shaqiri na ndëshkon. Një aksion, një gol. Efikasiteti i vendësve, 100 për qind. Pas disavantazhit, De Biazi urdhëroi spostimin e lojës më përpara dhe kjo gjë rezultoi efikase, paçka se jo edhe aq rezultative. Tri gjuajtje në harkun e pak minutave, por me një Benalio gjithnjë të vëmendshëm.
Penalltia – Fraksioni i dytë i lojës nisi më vrullshëm për kuqezinjtë, të cilët kishin dalë me një “erë” tjetër mbi supe. Loja jonë merr nuanca disi më pozitive edhe kur Roshi zëvendëson një Vilë totalisht nën nivelin e kërkuar, por në momentin tonë më të mirë, është Dallku që mendon t’ua bëjë më të lehtë zviceranëve. Shaqiri gjuan nga jashtë zonës, grushton Ujkani, loja vazhdon dhe topi mbetet në zonë, por si Mavraj edhe Dallku hutohen dhe ky i fundit, në vend që veçse të shoqërojë në markim e sipër lojtarin e Zvicrës, pasi topi po dilte jashtë zonës, e pengon nga prapa dhe për arbitrin është penallti. Gjuan Inler dhe 2-0. Teorikisht ka ende kohë për të kthyer rezultatin, por jo për një skuadër si kjo e jona, e cila krijon volum loje dhe raste para portës, nuk arrin të shënojë, kjo edhe për shkak të zhdërvjelltësisë dhe lojës së mirë të portierit zviceran. Në fund është Granit Xhaka që na kursen golin e tretë, paçka se nuk do të ndryshonte asgjë nga jo humbje, e merituar për aq pak sa konkretizuam në fushën e lojës.

Zvicër -Shqipëri 2-0
Shënues: Shaqiri 22’, Inler 68’ (p)
Kartonë të verdhë: Behrami, Derdijok, Stoker, Inler/ Dallku
Gjyqtarë: Ovidiu Hatengan/ Zoltan Sekeli dhe Oktavian Sovre (RUM)

Zvicra: Benalio, Rodriguez, Von Bergen, Dzhoru, Lihtshtainer, Inler, Behrami (Xhemaili 73’), Stoker (Mehmedi 78’), Xhaka (Drmiç 90’), Shaqiri, Derdijok.
Trajner: Otmar Hitcfeld

Shqipëria: Ujkani, Mavraj, Cana, Dallku, Lila, Kukeli (Hyka 72’), Meha, Vila (Roshi 55’), Bulku, Agolli, Bodgani (Çani 55’)
Trajner: Xhani de Biazi

Grupi E/ Kalendari
Të premten
Islandë-Norvegji        2-0
Shqipëri-Qipro        3-1
Slloveni-Zvicër        0-2

Mbrëmë
Qipro-Islandë        1-0
Norvegji-Slloveni        2-1
Zvicër-Shqipëri        2-0

Renditja
Ekipi    ND    F    B    H    Gola    P

Zvicra    2    2    0    0    4-0    6
Islanda    2    1    0    1    2-1    3
Shqipëria    2    1    0    1    3-3    3
Norvegjia    2    1    0    1    2-3    3
Qipro    2    1    0    1    2-3    3
Slloveni    2    0    0    2    1-4    0

De Biazi: Zviceranëve u dhuruam vetë dy gola
Përkundër pamjes së zymtë që ka marrë gjatë qëndrimit në stol, kur Kombëtarja shqiptare ishte duke u mundur në shifrat 2-0, trajneri Xhani de Biazi është parë i qeshur gjatë konferencës së shtypit të dhënë për “Supersport” në përfundim të takimit. “Më vjen shumë keq që humbëm një ndeshje e cila mund të kishte shkuar edhe ndryshe. Kemi bërë një lojë të mirë, të cilën fatkeqësisht nuk arritëm ta finalizonim me gol. Ndërsa kemi gabuar në dy raste në mbrojtjes dhe ato raste i ka shfrytëzuar kundërshtari, i cili ka në përbërje të tij futbollistë të cilët nuk të falin dhe arrijnë të shënojnë”, ka pohuar tekniku i përfaqësueses sonë. Ndërkohë, De Biazi ka folur edhe për mënyrën se si u zbatuan skemat nga ana e lojtarëve tanë. “Po përpiqeshim të bënim një lojë mjaft inteligjente dhe lojtarët po zbatonin skemat që kisha përcaktuar, megjithatë jo gjithçka shkon mirë në këto raste. Në momentin e golit gabuam në mbrojtje, si pasojë e një vendosjeje gabim dhe erdhi edhe ndëshkimi, që u pasua nga një tjetër gol në pjesën e dytë, i cili gjithashtu erdhi si pasojë e një gabimi, pasi u shkaktua edhe 11—metërshi”, tha De Biazi.

“Fituam në të gjitha aspektet”
Nëse përpara ndeshjes ndaj Shqipërisë trajneri i Zvicrës, Otmar Hicfeld, ishte i shqetësuar për faktin se në skuadrën e tij kishte jo pak por pesë lojtarë shqiptarë dhe tre prej tyre titullarë, pas ndeshjes një gjë e tillë duket se nuk e shqetëson më dhe gjithçka e kalon në heshtje. “Fituam se luajtëm më mirë se Shqipëria. U pa qartë se lojtarët tanë kanë më shumë kualitetet, ndërsa Shqipëria na vuri në vështirësi vetëm me shtatlartësinë. Për sa u përket tifozëve, e dija se do kishte më shumë shqiptarë sesa zviceranë, por më vjen mirë që në fund ishin mbështetësit tanë ata që dolën të gëzuar”, ka pohuar tekniku i Zvicrës.

“Vuajtëm, por i lumtur që jemi të parët”
Granit Xhaka do të jetë ndoshta një nga lojtarët që do të mbahet mend nga tifozët shqiptarë për golin që nuk shënoi gjatë pjesës së dytë të takimit, kur ishte i vetëm përballë portierit Ujkani dhe nuk gjuajti, por e la topin në këmbët e këtij të fundit. “Ishte një ndeshje e mirë dhe mjaft e fortë nga të dyja skuadrat. Megjithatë Zvicra fitoi, sepse shfrytëzoi më mirë rastet që pati. Më vjen mirë që jemi të parët në grup dhe morëm një fitore ndaj një skuadre të fortë e me shumë mbështetje si Shqipëria”, tha Xhaka.

“Gabuam në mbrojtje, por luajtëm mirë”
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka pranuar se Shqipëria humbi me Zvicrën për shkak të dy gabimeve foshnjarake në mbrojtje. “Zhvilluam një ndeshje të mirë në përgjithësi, por bëmë të njëjtat gabime, të cilat ishin totalisht të evitueshme. Duhet me patjetër që të evitojmë këto gafa, pasi ndaj lojtarëve të tillë, siç i ka Zvicra, është e sigurt që pëson gol. Gjithsesi ne u munduam, sidomos në pjesën e dytë për të rrezikuar dhe shënuar në portën e tyre, por nuk ia arritëm edhe për shkak se ata u mbrojtën mirë duke mos na lënë hapësira”, tha Cana pas ndeshjes.

Kuqezinjtë humbin 300 mijë euro premio
Presidenti Armando Duka akordoi shpërblimin para ndeshjes së djeshme me Zvicrën
Nëse do të fitonim ndaj Zvicrës, Kombëtarja shqiptare do të merrte një premio të majme prej 300 mijë eurosh. Superpremioja është vendosur nga ana e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit para takimit të djeshëm me helvetët. Armando Duka ka bërë një mbledhje me ekipin përfaqësues dje paradite dhe, pasi është informuar për anën psikologjike dhe formën e lojtarëve, ka deklaruar se do të jepte 300 mijë euro për një fitore. Një gjë e tillë është bërë për të motivuar në maksimum ekipin, pavarësisht se duhet thënë se gjithë skuadra, sipas informacioneve nga i dërguari i “Panorama Sport” në Zvicër, ka qenë me moralin “në qiell”, nisur kjo jo vetëm nga fitorja e arritur me Qipron pesë ditë më parë, por edhe nga entuziazmi i paparë ndonjëherë, krijuar nga tifozët e shumtë, rreth Kombëtares në një ndeshje në transfertë. Por për fat të keq, atmosfera përreth ekipit nuk shkoi në të njëjtën linjë me lojën e zhvilluar nga skuadra jonë. “Keni 300 mijë euro për fitoren dhe 150 mijë euro për barazimin. Këto janë vetëm për ju, lojtarët. Me stafin kam llogari të tjera”, ka thënë presidenti i FSHF-së. Pas këtij premtimi, lojtarët kanë parë në sy njëri-tjetrin, patjetër disi të çuditur, pasi një shpërblim i tillë nuk është vënë asnjëherë për ekipin tonë përfaqësues. Vetëm ndaj Greqisë në 2004-n (grekët sapo ishin shpallur Kampionë të Europës) ish-kryeministri i vendit në atë periudhë, Fatos Nano, akordoi një premio prej 500 mijë dollarësh për fitoren e kuqezinjve (në fakt, fituam 2-1 falë golave të Muratit dhe Adrian Aliajt). Por nëse në atë ndeshje kuqezinjtë arritën t’i merrnin ato parà, dje 300 mijë eurot mbetën sërish në arkën e FSHF-së.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura