
SHKODER – Humb jetën nga overdoza një 47-vjeçare në Shkodër. Trupi i pajetë i Rajmonda Erkoçeviç është gjetur në banesën e saj ku jetonte e vetme, si pasojë e përdorimit në sasi të mëdha të lëndëve toksike. Ky është dyshimi i Policisë, ndërsa ekspertët do të nxjerrin përfundimin. Ngjarja është mësuar rreth orës 14:30, kur policia hapi derën e shtëpisë së gruas në një pallat të lagjes “Ahmet Haxhia” në Shkodër. Erkoçeviç jetonte e vetme, pasi kishte qenë e braktisur që e vogël nga prindërit në shtëpinë e fëmijës. Fqinjët e saj, duke i njohur problemet me drogën, kanë lajmëruar Policinë se ajo nuk ishte parë për disa ditë. Nga të dhënat paraprake të grupit hetimor, mësohet se trupi i 47-vjeçares kishte filluar të dekompozohej, çka provon se ajo mund të kishte më shumë se 3-4 ditë që kishte vdekur. Ndërkohë që bëhet e ditur se shkaku i vdekjes së 47-vjeçares mendohet të ketë qenë përdorimi i lëndëve toksike në sasi të mëdha. Lloji i saktë i lëndës pritet që të përcaktohet në laborator, ndërsa nisur nga fakti se ajo ishte përdoruese e drogës dyshohet se pikërisht një sasi e madhe e saj mund t’i ketë shkaktuar vdekjen.
Nga dëshmitë e para të fqinjëve është mësuar se 47-vjeçarja jetonte e vetme dhe me raste punonte duke pastruar lokale në vende të ndryshme. r.d











