
des në galeritë e Bulqizës tekniku i minierave. Dilaver Koçi, 53 vjeç, mbeti i pajetë në thellësinë 500 metra të galerisë 41 në zonën D, për t’u nxjerrë në sipërfaqe pas 5 orësh.
Tre drejtues të firmës private u arrestuan pas ngjarjes së rëndë, për mosplotësim të kushteve të sigurimit teknik në punë. Mësohet se Koçi punonte në thellësi dhe kishte si detyrë kontrollin e fronteve të punës. Një masiv inertesh, kryesisht kromi, e ka pushtuar trupin e 53-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Kolegë të Koçit thanë se në momentin e aksidentit të rëndë tekniku po kontrollonte dhe zhbllokonte një “duçkë” (depozitë që grumbullon mineralin mes dy niveleve në galeri), për të zbritur kromin poshtë. “Dilaveri hyri në galeri për të zhbllokuar kromin që ndodhej në një ‘hinkë’. Ai po lëvizte hyrjen e saj me levë, kur befas materiali ka dalë me shpejtësi duke e përplasur pas murit të galerisë. Ashtu në këmbë është pushtuar nga masivi i kromit dhe inerteve të tjera dhe ka mbetur i vdekur”, thanë për grupin hetimor minatorë që punonin në këtë galeri. Brigadieri ka hyrë në galeri rreth orës 10:00, ndërkohë që punëtorët prisnin në hyrje të saj urdhrin e tij për të hyrë në minierë. Kur kanë parë se ai po vonohej më shumë sesa herët e tjera, dy-tre minatorë të tjerë kanë hyrë në galeri për të kuptuar çfarë ndodhte me shefin e tyre. Pasi kanë udhëtuar afro gjysmë kilometri, kanë konstatuar se galeria ishte e bllokuar totalisht nga minerali i kromit. Minatorët kanë kuptuar menjëherë se diçka e keqe i kishte ndodhur teknikut të minierës, pasi e dinin se pikërisht këtu kishte pasur një bllokim të mineralit. Është

lajmëruar policia lokale, si dhe minatorë të tjerë për të mundësuar nxjerrjen e trupit të pajetë të Koçit. “Kemi punuar afro pesë orë për të nxjerrë trupin e teknikut të minierës, pasi sasia e materialit që e kishte pushtuar ishte e madhe. Masivi e kishte mbështetur në faqen e galerisë duke i marrë jetën. Ka punuar për shumë vjet në minierë dhe ishte shumë i kujdesshëm në punën e tij”, thanë minatorë të galerisë 41, të cilët e kanë përjetuar me dhimbje humbjen e kolegut të tyre. Trupi i pajetë i Dilaver Koçit është dërguar fillimisht në morgun e spitalit të Bulqizës për të kryer ekspertizën ligjore. Dhjetëra minatorë, banorë të Bulqizës dhe të afërm të viktimës janë tubuar pranë spitalit dhe kanë derdhur lot për 53-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Policia e Bulqizës nisën menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për gjetjen e personave përgjegjës që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Mësohet se sapo është mësuar lajmi i hidhur, policia ka bllokuar gjithë dokumentacionin e subjektit të menaxhuar nga pesë inxhinierë të minierave, një pjesë të punësuar edhe në firmën ACR (Albanian Krom). Burime të sigurta informacioni nga Komisariati i Policisë Bulqizë thanë se janë shoqëruar pak orë pas ngjarjes drejtuesit e galerisë 41. Në orët e pasdites u njoftua nga Policia e Dibrës arrestimi i Ramazan Nesinit, administrator i firmës, Bardhyl Ramës, kryeinxhinier i këtij subjekti dhe Sabah Hoxhës, drejtues teknik. Ata akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurimit teknik në punë.
Hetimet
Burime pranë Komisariatit të Bulqizës bënë me dije se ndaj administratorit dhe specialistëve të firmës ku punonte viktima u lëshuan urdhër-arrestet nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Mësohet se administratori Ramazan Nesini ishte i punësuar në kompaninë që ka me koncesion minierën e Bulqizës, ACR. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë dhe arsyet e mungesës së kushteve të sigurisë në punë, duke siguruar dëshmi e dokumente.
Të arrestuar
Ramazan Nesini,
administrator i firmësBardhyl Rama,
kryeinxhinierSabah Hoxha,
drejtues teknik
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











