Hulian Rubio: Tirana, në dorën e sulmuesve

Jul 20, 2011 | 11:31

Tirana nesër do të luajë shansin e saj për të kaluar turin e dytë të Ligës së Europës. Barazimi i arritur kundër Spartak Trnavës i jep mjaft shanse, mirëpo bardheblutë për të arritur kualifikimin duhet të fitojnë ose të barazojnë me gola. Një gjë të tillë trajneri Hulian Rubio e sheh të realizueshme vetëm nga reparti ofensivë. “Kam më shumë besim, mirëpo shpresoj që atje të luhet një ndeshje e mirë si dhe të marrim një rezultat pozitiv. Qëllimi i vetëm është të bëjmë një lojë të mirë, por nëse do të përqendrohemi në sulm apo në mbrojtje, kjo do të përcaktohet me kalimin e minutave. Megjithatë, dua të sqarojnë se ne do të jemi një ekip që gjithmonë do të kërkojmë portën kundërshtare. Në rast se nuk do arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, kjo do të thotë se performanca e rivalit është shumë e fortë. Gjithsesi, sqaroj se mua nuk do të më pëlqente që një spanjoll të bënte mrekulli në Shqipëri, por do të më pëlqente që një grup shqiptarësh ta bënin këtë gjë. Pavarësisht dëshirës që kam për ta fituar këtë sfidë dhe rrjedhimisht për të arritur kualifikimin, them se do jetë e vështirë”, pohoi dje trajneri i bardhebluve, Hulian Rubio.

© Panorama.al

Te lidhura