Hoxhaj: Serbia të shpërbëjë strukturat paralele

Aug 30, 2011 | 17:57

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës,  Enver Hoxhaj, në fjalimin e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të  Bashkuara ka paraqitur zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës.

Duke folur për të arriturat dhe për perspektiven evropiane, Ministri Hoxhaj ka  theksuar se Kosova sot është një shtet funksional shumetnik me një shoqëri diverse  dhe me më së shumti stabilitet politik në Ballkan.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së  Kosovës, ku është rritur niveli i njohjeve të pavarësisë nga shtetet tjera. Kjo tregon se Kosova në fakt është duke u bërë shpejt një anëtar i ri dhe i përgjegjshëm i Komunitetit Ndërkombëtar”, ka shtuar ai.   Duke sqaruar rrjedhën e dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë, Ministri Hoxhaj ka theksuar se ishin paraparë disa takime gjatë verës, por  delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë në takimin e caktuar për muajin korrik.

Hoxhaj po ashtu ka sqaruar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të dërguar  Njësinë Speciale në veri të vendit.   “Më lejoni të bëhem i qartë në këtë çështje: ne dërguam forcat e policisë së Kosovës në kufijtë e veriut jo për t’i trazuar qytetarët apo për t’i sulmuar ata. Ne thjesht kemi kërkuar përforcimin e masave të reciprocitetit në tregti kur të gjitha përpjekjet për të negociuar çështjen patën dështuar”, ka theksuar ai.

Veprimet e Qeverisë së Kosovës, sipas Hoxhajt, ishin një ushtrim legjitim i  autoritetit të policisë.

“Ajo çfarë ka ndodhë ishte, sinqerisht, sfida më e madhe që ne kemi parë ndaj paqes në Ballkan në shumë vite. Strukturat ilegale serbe kanë përdorur eksplozivë, armë automatike dhe snajperë për të sulmuar Policinë e Kosovës, policinë e EULEX-it dhe KFOR-in. Një polic i Kosovës u vra nga këta ekstremistë dhe kriminelë që financohen nga Beogradi dhe aktivitetet kontrabandë. E përsëris, Policia e Kosovës nuk ka përdorë dhunë. Ka qenë Qeveria e Serbisë që ka kryer akte dhune përbrenda territorit të Kosovës”, ka nënvizuar ai.

“Dhuna është ndalur duke iu falënderuar KFOR-it dhe komandantit Buhler”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka kërkuar që Serbia duhet të shpërbëjë strukturat paralele ilegale nga Republika  e Kosovës dhe të heq dorë nga financimi i grupeve kriminale në veri.

Ministri ka theksuar se Kosova është dhe do të jetë vend i lirë për të gjithë  kosovarët, pavarësisht, nëse ata janë shqiptarë, serbë, romë, turq, boshnjakë, kroatë,  malazezë apo të tjerë.

© Panorama.al

Te lidhura