
Ish-kandidati për President dhe një nga organizatorët e konferencës “Fqinjët e Shqipërisë”, Artan Hoxha, deklaroi dje se ka pasur reagime negative për këtë iniciativë të rëndësishme të zhvilluar ditë më parë në Tiranë. Hoxha ka reaguar dje në faqen e tij të rrjetit “Facebook”, ku u shpreh se kjo konferencë u prit me shqetësim nga organizata apo grupime të vendeve fqinje, gjë e cila nuk është në të mirë të progresit të Ballkanit. “Dje u mbyll konferenca ‘Fqinjësia shqiptare’. Pjesëmarrësit vlerësuan mjaft pozitivisht performancën e saj. Reagimet në media dhe rrjete sociale duken pozitive nga shqiptarët në Ballkan dhe më gjerë. Termi në anglisht është ‘Albanian Neighborhood’, që disa prej pjesëmarrësve u pëlqente ta përkthenin ‘lagja/mëhalla shqiptare’. Sipas të gjithë pjesëmarrësve, ky ishte takimi i parë veç me shqiptarë (pa llogaritur ekipin amerikan të organizatorëve nga Columbia University dhe CSIS dhe Rockefeller Brothers Fund) që biseduan se si mund të bashkëpunojnë më mirë për çështjet tona. Vëmendja u fokusua në çështjet ekonomike, të infrastrukturës, të arsimit/kulturës dhe të komunikimit e medias në këtë hapësirë shqiptare. Ndokush, individ a organizatë nga kombet e tjera mund ta ketë parë me shqetësim këtë konferencë. Punë e madhe! Ne çështjet tona do t’i trajtojmë gjithnjë e më mirë së bashku dhe progresi i shqiptarëve është progres i Ballkanit, jo kërcënim për të tjerët. Kush thartohet nga kjo, s’i kemi faj, se don t’hajë a t’imagjinojë se po ha kumbulla”, deklaroi dje Artan Hoxha.
Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se vendet fqinje duhet të çlirohen nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste dhe antishqiptare.
FATION BINJAKU











