Holtkemper: Bëni reformat për veten dhe jo për të huajt

Aug 23, 2012 | 12:02
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, i kërkoi politikës shqiptare reforma reale dhe jo në letër. Gjatë një prononcimi për mediat nga qyteti i Gjirokastrës, Holtkemper u shpreh se reformat në Shqipëri nuk duhen bërë si një kërkesë e faktorit ndërkombëtar, por si nevojë për t’u zbatuar nga vetë institucionet shqiptare. “Mund të them se ka pasur progres, Kodi i ri Elektoral ka kaluar në Parlament, ndërsa qeveria dhe opozita po diskutojnë për reduktimin apo heqjen e imuniteteve. Ka diskutime për reformimin e institucioneve legale dhe sistemin e Drejtësisë, kështu që në tërësi po flitet për më shumë reforma dhe ne shpresojmë që kjo të materializohet. Mendoj që për ne, por më shumë për shqiptarët, është e rëndësishme të përsoset sistemi i Drejtësisë, kjo do të përmirësonte cilësinë e zbatimit të ligjit dhe relatat mes vetë shqiptarëve, gjithashtu marrëdhëniet mes institucioneve dhe biznesit, por dhe mes institucioneve dhe biznesit të huaj. Por përshtypja ime është se shqiptarët mendojnë shumë rreth të huajve, kështu që na harroni ne dhe bëni reformat për veten tuaj, krijoni një shoqëri më përfshirëse, një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të sigurt për institucionet shqiptare dhe biznesin dhe ju do ta merrni statusin e vendit kandidat automatikisht”, tha ambasadorja Carola Muller Holtkemper. Miratimi apo mosmiratimi i reformave nga maxhoranca dhe opozita janë konsideruar si detyra shtëpie të Brukselit për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë, sesa detyrim i institucioneve për të ndërtuar shtet ligjor. Kjo deklaratë e ambasadores gjermane në Tiranë vjen dy javë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ku maxhoranca dhe opozita do të debatojnë për çështje të rëndësishme siç është kufizimi i imuniteteve. Seanca e fundit e Parlamentit, ajo e datës 6 gusht, u mbyll pa asnjë votim, pasi palët debatuan për çështjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, por në fund të saj opozita nuk dha votën e saj për ndryshimet kushtetuese. Opozita kërkoi që kufizimi i imuniteteve të shoqërohet me një reformë të plotë në Drejtësi, në Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përcaktimin në Kushtetutë të zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm dhe gjyqtarëve të lartë me shumicë të cilësuar. Partia Demokratike e cilësoi mosvotimin e opozitës si një përpjekje të saj për të bllokuar statusin e vendit kandidat. Kufizimi i imuniteteve mbetet një nga 12 prioritetet që Komisioni Europian ka vendosur për Shqipërinë, si kusht për të parë progresin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Vizita në Gjirokastër
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, ishte në Gjirokastër për të monitoruar zbatimin e disa projekteve të financuara me fonde gjermane në disa rrethe të Jugut, projekte me impakt kryesisht në fushën e shërbimeve dhe përkrahjes së kategorive sociale në nevojë. Projektet gjermane në jug të vendit janë fokusuar në sektorin e energjetikës dhe turizmit.

Ditmir Bushati
Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, e konsideron të vonuar ngritjen e grupit të punës nga Ministria e Jashtme për marrëveshjen e ujërave me Greqinë. “Pas rreth dy vjetësh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shfuqizimin e ‘marrëveshjes se detit me Greqinë’, qeveria paska ngritur grup pune për të ‘studiuar’ vendimin! Kjo gjë duhet të kishte ndodhur menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, së bashku me nxjerrjen e përgjegjësive për shkeljen kushtetuese të konsumuar e cila nuk parashkruhet!”, shkruan Bushati në adresën e tij në Facebook.

GJIROKASTER/ PIRRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura