
Kuvendi i Shqipërisë po mban një seancë të posaçme përkujtimore për Holokaustin. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Sali Berisha tha se gjahu kolektiv ndaj etnisë hebre është “procesi më barbar që qytetërimi perëndimor ka njohur në tërë shekujt e fundit.”
Kryeministri tha se Holokausti pati mbi 6 milionë viktima, ndaj dhe sot nderimi shkon tek të gjithë burrat, gratë, fëmijët, të sapolindurit dhe ende të palindurit të cilët u flijuan se i përkisnin etnisë çifute, për të cilën kryeministri tha se është njëra prej rracave më fisnike të njerëzimit.
Duke iu referuar aktit të shqiptarëve të cilët strehuan hebrenjtë dhe nuk i dorëzuan ata tek nazistët kryeministri vlerësoi gjestin e qytetarëve shqiptarë dhe shtetarëve të asaj kohe.
“Sot për ne është një ditë nderimi, së pari për mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, i cili ishte shtetari i vetëm që nuk mbylli dyert dhe kufijtë, për hebrenjtë që gjuheshin në të katër skajet e kontinentit. I hapi kufjtë dhe konsulloret e tij, për të bërë atë që mund të bënte mbreti i vendit më të varfër të Europës në shpëtim të tyre. Sot ne përulemi me nderim të madh, para burrave dhe grave në qytete dhe fshatrat e Shqipërisë, që me një trimëri të rrallë, burrëri të jashtëzakonshme, humanizmi ekzemplar, dëshmuan para vetës dhe mbarë botës si zotërit më të mirë të shtëpive në këtë planet.”- tha kryeministri.
Ai tha se sot, përulemi me nderim të madh para familjeve shqiptare, sepse ata i lanë kombit një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke shtuar se, “është një ditë nderimi edhe për të gjithë autoritetet shqiptare të cilat në kohë presioni nuk pranuan marrëveshje me nazistët për të dorëzuar hebrenjtë.
Ndërkaq në këto momente në sallën e parlamentit po shfaqet një film dokumentarë që përmban dëshmi të asaj që shqiptarët bënë ndaj hebrenjve.
© Panorama.al











