Holande, rebelëve në Siri: Formoni qeveri, Franca do t’ju njohë

Aug 28, 2012 | 12:40

Presidenti i Francës, Fransua Holande, ka nxitur opozitën në Siri që të bashkohet e të formojë një qeveri duke premtuar njohjen zyrtare nga Franca menjëherë pas kësaj. Thirrja e tij ishte e para kaq e drejtpërdrejtë nga drejtuesi i një vendi të fuqishëm europian. Holande theksoi se pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, edhe Franca mendon se përdorimi i armëve kimike në Siri nga regjimi i Bashar al Asad, do të legjitimonte një ndërhyrje ushtarake nga komuniteti ndërkombëtar. Holande ftoi opozitën siriane të formojë një qeveri të përkohshme, duke përsëritur një skenar të afërt me atë të ish-presidentit francez, Nikolas Sarkozi, me Libinë. Presidenti francez ka deklaruar se “me partnerët tanë ne mbetemi shumë vigjilentë për ndalimin e përdorimit të armëve kimike, përdorimi i të cilave do të përbënte për komunitetin ndërkombëtar një arsye legjitime për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura