
Presidenti i ri i Francës, socialisti Fransua Holande, i cili ka deklaruar “luftë” kundër të pasurve dhe se ai është një Presidenti i thjeshtë dhe “normal”, zotëron tri shtëpi pushimi në rivierën e famshme të Kanës. 57-vjeçari që ka deklaruar se nuk i mbështet të pasurit dhe kërkon revolucion me taksa super të larta për ta, në fakt është i pasur vetë, në mënyrë të konsiderueshme. Asetet e tij janë publikuar dje në “Gazetën Zyrtare”, e cila paraqet informacion të verifikuar mbi qeverinë franceze. Asetet e tij, që mund ta vënë në një pozicion të vështirë “Presidentin Normal”, arrijnë rreth 1.3 milionë euro. Mes aseteve të tjera janë tri llogari të rrjedhshme në bankat e Francës dhe një sigurim jete. Por janë pronat e tij të mrekullueshme që kanë shkaktuar pakënaqësi te miliona francezë të zakonshëm që votuan për të duke e konsideruar njërin prej tyre. Holande njihet për kritikat e ashpra ndaj presidencës së kushtueshme të Nikolas Sarkozisë. Përveç apartamentit në Paris që ai e ndan me partneren e tij Valerie Trierveiler, Holande ka në pronësi një vilë luksoze në Mougins, Kodrat e Kanës, ku dikur jetonte artisti Pablo Pikaso. Vlera e saj është llogaritur në 800.000 euro dhe është shumë afër dy apartamenteve të tjera të Holande në Kanë, me vlerë 230.000 euro dhe 140.000 euro.











