Një peizazh i denjë për aventurat homerike, një vend ku, sipas Virgjilit, u ndal heroi trojan, Enea, para se të themelonte Romën, një mrekulli në Mesdhe, renditur në listën e pasurive botërore.“Shumë e dinë se Butrinti është kryeqyteti i Shqipërisë”. Kështu të thotë Richard Hodges, drejtori shkencor i fondacionit “Butrinti”, i cili dje promovoi në Tiranë libër-albumin “Butrinti i përjetshëm”. Një botim luksoz i shtëpisë botuese “Toena”, i pajisur me fotografi e harta të vjetra e të reja. Si arkeolog dhe studiues, Hodges u ka hyrë me themeli studimeve mbi këtë qytet që daton të jetë banuar së paku që prej shek. VIII para Krishtit. Gjithçka nis në zanafillë, në atë të shkuarën e largët, ku e vërteta historike plekset me legjendën, për të vijuar hap pas hapi deri në ditët tona. Libri është i ndarë në disa kapituj. Fillon me “Në gjurmët e Eneas”, për të vijuar me “Një histori mesdhetare”, “Butrinti, Korfuzi dhe miti trojan”, “Trashëgimia e Cezarit”, “Butrinti bizantin dhe despotik”, “Insula Botentro: mbrojtësi i Korfuzit dhe syri i tij i djathtë”, “Rrjetë e ngatërruar: arkeologji, politikë dhe rigjallërim ekonomik”, “Qendra arkeologjike në pellgun e Sarandës”. Më poshtë Hodges sqaron përse është ndalur në Butrint, cilat janë sfidat me të cilat po përballen Butrinti dhe arkeologjia shqiptare në përgjithësi.
Pas 20 vitesh i lidhur me Butrintin, mund t’i përgjigjeni pyetjes: pse pikërisht Butrinti?

Butrinti është një nga vendet më të mrekullueshme në botë, ndaj është edhe pasuri e trashëgimisë botërore. Si arkeolog dhe lektor ndjehem krenar që kam pasur privilegjin të jem në gjendje të punoj në Butrint, në një vend që mund të ngatërrohet si kryeqyteti i Shqipërisë. Ky privilegj shprehet në shumë forma. Bukuria e vendit është rezultat i bashkëpunimit të shumë shqiptarëve dhe të huajve gjithashtu. Butrinti është një mikrokozmos i historisë mesdhetare në të tërën e tij. U jam mirënjohës të gjithë kolegëve shqiptarë të Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Monumenteve, me të cilët kemi punuar. Butrinti ka një vend të pakrahasueshëm në arkeologjinë mesdhetare dhe do ta ketë për një kohë shumë të gjatë, sepse me mundësinë e projekteve me pjesëmarrjen e shumë studentëve të huaj, në bashkëpunim me shumë shqiptarë, ne bëjmë të mundur studimin e qendrës arkeologjike në kompleksitetin e saj. Nuk ka qendër tjetër arkeologjike romake që të jetë më e gërmuar dhe e dokumentuar në dhjetë vitet e fundit, ashtu siç e dëshmon edhe gërmimi aktual që po organizohet në Butrint për zgjerimin e formimit romak. Përsa i përket periudhës bizantine, është e vetmja qendër në Mesdhe e datuar aq mirë, me të gjithë kronologjinë. Këto do të jenë pjesë e librave të ardhshëm që do të botohen.
Me gjithë vlerat “par excelence” të Butrintit, cilat janë sfidat me të cilat ai përballet në vitin 2011?
Sfida e vërtetë është a ekziston vullneti i mirë i institucioneve për ta mbrojtur Butrintin dhe për ta bërë atë të respektueshëm në të gjithë botën. Sa më shumë bashkëpunim dhe vullnet të mirë të ketë mes institucionesh të interesuara, aq më i sigurt dhe i mbrojtur do të jetë Butrinti. Në kapitullin e fundit të librit tim unë ngre pyetjen: si mund të arrihet në nivelet e kënaqshme? Është e domosdoshme që të hartohet një vizion i qartë se ku do të shkojë Shqipëria pas 10, apo pas 100 vjetësh, ç’trajnime duhen kryer dhe si duhet të bashkëpunojnë institucionet me njëra-tjetrën dhe universitetet për të trajnuar brezin e ri të arkeologëve dhe menaxherëve.
Duket se një nga problemet më të mëdha është ndarja e kompetencave dhe bashkëpunimi mes institucionesh. Ju ka penguar ky fakt në punën tuaj?
Është e njohur shprehja që dy shqiptarë në një mendje nuk i gjen dot. Po, e vërtetë është, kam hasur edhe probleme… E![Butrinti i perjetshem[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2011/06/Butrinti-i-perjetshem1-238x300.jpg)
Përmendët gërmime të reja që po zhvillohen në Butrint, ndërkohë që sipas UNESCO-s, gërmimet janë të mjaftueshme në këtë territor dhe i duhet kushtuar më shumë vëmendje konservimeve. Ç’mendoni për këtë?
UNESCO nuk është e interesuar në gërmime, por gërmimet ndihmojnë në trajnimin e arkeologëve dhe të kanservuesve. Ka nevojë që të ketë një balancë mes asaj që gërmohet me standardet e duhura profesionale, asaj që konservohet dhe që publikohet sipas standardeve. Gërmimet e pakta në numër që po zhvillohen tani në Butrint, janë të fokusuara te trajnimet, grumbullimi i fondeve dhe konservimi në të njëjtën kohë.
Në një raport të fundit mbi parqet arkeologjike, botuar me mbështetjen e UNESCO-s, tërhiqet vëmendja ndaj të huajve, të cilët gërmojnë pa marrë leje te autoritetet shqiptare. Ka ndodhur kjo në Butrint?
Nuk di që kjo të ketë ndodhur në Butrint, por sigurisht që për të gërmuar duhet leje, por këto leje duhen marrë në mënyrë moderne..
Që do të thotë?
Që do të thotë që të mos ketë shumë burokracira dhe, nga ana tjetër, ai që gërmon të ketë përgjegjësinë për ta botuar materialin, për ta dokumentuar punën e tij, dhe kjo të bëhej në një mënyrë moderne. Kjo është ajo që ne kemi bërë për Butrintin, ndërkohë që sa i përket UNESCO-s, kjo praktikë është e pazakontë, sepse shumë projekte në site nën mbrojtjen e tyre, nuk janë shoqëruar me botime. Shkenca ndryshon, është e gjallë, nuk ka histori të fiksuar dhe gërmimet nxjerrin në dritë fakte të reja. Interpretimi që unë i kam bërë Butrintit është ndryshe nga ai i arkeologëve të tjerë dhe ndryshe nga ai i arkeologëve italianë, apo edhe të atyre që do të vijnë më vonë. Prandaj është e domosdoshme që brenda kritereve për një leje gërmimi të jetë edhe publikimi i rezultateve. Kjo do të thotë të krijohet sistemi i botimeve në këtë vend dhe kjo do të thotë të mbështesësh gjithë sistemin e trashëgimisë kulturore me standardet e duhura. Mbi këtë duhet të diskutojmë kur Shqipëria të ketë 100-vjetorin e pavarësisë.
ALMA MILE
© Panorama.al











