1. Pas përmbysjes së komunizmit në Europën Lindore, qarkullonte një parashikim, bazuar në empirizëm të tërthortë, që demokracia do ishte e arrirë kur të ishin kaluar së paku katër-pesë radhë zgjedhjesh, të lira, të ndershme e të pranuara nga palët, pavarësisht rezultatit humbës të mazhorancës apo opozitës, të shoqëruara me kalime të paqta të pushtetit. Në rastin e Shqipërisë, që nga viti 1991 janë kryer shtatë zgjedhje për qeverisjen qendrore, nga të cilat dy të parakohshme në 1992 dhe 1997, pesë vendore, që të gjitha në kohën kushtetuese të tyre, si dhe dy referendume për Kushtetutën.
2. Zgjedhjet 1991 ishin shokuese për opozitën. Populli votoi në shumicë dërrmuese PPSH-në. Ndërsa, si rregull, qytetet, kryesuar nga Tirana, i dhanë duart komunizmit, fshatrat, si rregull, ruajtën plogështinë. Presioni i sistemit ne vdekje e sipër nuk lejoi kalimin e pushtetit tek opozita, e cila nuk i pranoi këto zgjedhje. Koha punonte për rotacionin. Demonstratat masive dhe gjendja e vendit detyroi klasën politike të gjente kompromisin mes Qeverisë provizore të Stabilitetit dhe mbajtjen e zgjedhjeve pas një viti, diku nga maji 1992. Rryma moderatore brenda PPSH-së, përfaqësuar nga Fatos Nano, hapi rrugë.
3. Rryma e rotacionit sa më të shpejtë, përfaqësuar nga Sali Berisha, fitoi mbi rrymën e të moderuarve brenda demokratëve dhe diktoi rrëzimin e Qeverisë së Stabilitetit, krijimin e qeverisë teknike dhe kryerjen e zgjedhjeve më 22 mars 1992, në të cilat demokratët fituan afro 65% të votave dhe mbi 2/3 e 140 vendeve në Parlament. Përmbysje simetrike brenda një viti. Të majtët, tashmë në fillesën e reformimit sipas të majtës europiane, pranuan verdiktin e popullit për një ndarje përfundimtare nga komunizmi i vdekur sakaq. Pushteti pranoi humbjen.
4. Zgjedhjet vendore, korrik 1992, rivendosën ekuilibrin politik me një rezultat mjaft të ngushtë në përqindje të votave në favor të maxhorancës. Demokratët ruajtën qytetet kryesore. Socialistët u rikthyen në shumë fshatra, në Jug e qendër. Numri i votuesve ra ndjeshëm krahasuar me marsin e atij viti, me mungesa të theksuara djathtas. Ndikuan reformat e ashpra të ndërmarra, përfshirë liberalizimin e çmimeve dhe mbylljen e mijëra vendeve fiktive pune. Qeveria praktikisht i injoroi këto zgjedhje. As që u mor me fushatë. Opozita u rigjallërua nga rezultati pas traumës së marsit. Në fakt, ajo i perceptoi këto zgjedhje si të fituara prej saj, ndaj edhe i njohu. Në nëntor 1994, maxhoranca, duke pasur kundër edhe segmente të së djathtës, pranon humbjen e referendumit për Kushtetutën. Rezultati referendar rikonfirmon ekuilibrin politik me diferencë të ngushtë.
5. Zgjedhjet e shëmtuara të 26 majit 1996, me dhunë dhe manipulime, s’kishte si të pranoheshin nga opozita. Ndërkaq, zgjedhjet vendore, tetor 1996, ishin ndoshta më të paqmet e më të rregulltat. Mazhoranca korri fitore dërrmuese. Populli duket se kish lidhur fatin e parave me vazhdimësinë e pushtetit dhe rizgjedhjen e Sali Berishës president. Tetori për maxhorancën ishte prova e vërtetësisë se majit. Ndaj nuk ndërmori asnjë ndërhyrje kundër piramidave ende në meszhvillim. I la për pak më vonë. Kur ndërhyri në janar 1997, ishte më shumë se vonë.
6. Opozita nuk i njohu zgjedhjet vendore duke i quajtur përsëritje, tashmë e fshehtë, e manipulimeve të majit, ndonëse nuk bëri zhurmë, duke shpresuar tek mrekullia: gjiganti të rrëzohej me rrëzimin e arsyes së fitores – piramidat e parave. Ndërkaq, Fatos Nano kish nisur fazën tjetër të reformimit të PS-së, që atë vere, me mesazhe nga burgu, duke i paraprirë ardhjes në pushtet të së majtës ende jo të reformuar në parametrat e pranueshmërisë për ndërkombëtarët dhe votuesit e qendrës. Zgjedhjet 1997 përcaktuan rotacionin me 2/3 e vendeve në Kuvend, në favor të socialisteve dhe aleatëve të tyre. Edhe një herë tjetër, përmbysje simetrike brenda një viti. Megjithëse nuk shkelën dot në thuajse gjysmën e vendit, demokratët pranuan humbjen.
7. Referendumi 1998 dhe zgjedhjet 2000, 2001, u fituan nga maxhoranca e majtë. Vlerësimet e palëve te treta, përfshirë OSBE/ODIHR, flasin me fakte për plot parregullsi, dhunë, manipulime, mbushje kutish, falsifikime rezultatesh e dokumentesh dhe anshmëri të qartë të gjykatave, por që gjithsesi nuk vinin në dyshim fitoren e së majtës, por vetëm gjerësinë e saj. Megjithatë, opozita nuk i njohu zgjedhjet. Një katërvjeçar opozitar i ashpër deri destruktiv u mbyll, veçse në fillim të 2002-shit, kur për opozitën u hapën perspektiva të reja nga përçarja në të majtën. Lideri Berisha as që kish ndër mend t’i hapte udhë një lidershipi të ri. Për ideal, për ambicie apo për vetëmbrojtje? S’ka se si të mos jetë e treta dhe me peshe të qenësishme. Mohuesve të së tretës u kujtoj peripecitë opozitare me burgime e vrasje e deri ndalimi në polici i Berishës apo atentate të dështuara ndaj tij. Demokratët u mblodhën tok rreth liderit për të njëjtin instinkt. E dyta s’ka nevoje për provë, është njerëzore e tek kushdo, ndërsa me të paren s’po merrem, se gjykimi është shumë subjektiv.
8. Zgjedhjet 2003 ishin më të rregullta se të mëparshmet. Opozita fitoi në Elbasan e Korçë, ndërsa humbi në Tiranë e Durrës, ku u shënuan shumë parregullsi të njohura edhe nga OSBE/ODIHR. Përsëri opozita nuk i njohu zgjedhjet në tërësi e veçanërisht aty ku humbi. Por, në opozitë nuk kish pesimizëm gjithsesi. Frustracioni ishte zhdukur. Optimizmi i matur kish zënë vend mes demokratëve. Opozita kish nisur kursin e ri të konstruktivitetit që në 2002-shin, kurs që e thelloi, zgjeroi dhe konsolidoi deri në prag të zgjedhjeve 2005. Paqe me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Për të marrë pushtetin, duhet të ndash pushtet. Berisha, ai i pandreqshmi dhe i urryeri për shumëkënd, ishte paradoksalisht arkitekti! Në maxhorancën e majtë, çarja e brendshme u bë e pariparueshme.
9. Zgjedhjet 2005 u fituan nga demokratët. Pushteti pranoi humbjen. Parashikimet për fitoren e opozitës ishin të shumta, të pavarura mes tyre dhe të besueshme. Sondazhet flisnin për avantazh të lehtë, por të qëndrueshëm të bllokut demokrat ndaj atij socialist, pa LSI-në. Logjika e gjërave, po ashtu. Përçarja e thellë në të majtë, aq më shumë. Kjo e fundit jo vetëm si ndarje konfliktuale me LSI-në, por edhe si çorganizim brenda kampit socialist. Sistemi i përzier maxhoritaro-proporcional e zgjeronte rezultatin e ngushte, duke dhënë një diferencë të mjaftueshme në numër deputetësh për të qeverisur. Ajo çka pritej, ndodhi. Me përpikëri. Kontrolli i të gjitha pushteteve nga socialistët nuk pengoi, s’mundi a s’desh, rotacionin, edhe pse me rezultat të ngushtë. As gjysmëstandardet e këtyre zgjedhjeve nuk e penguan.
10. Zgjedhjet e pashijshme 2007 përsëri nuk u pranuan ne tërësi nga opozita socialiste, tashmë me Edi Ramën lider te saj. Foli për fitoren e qyteteve te mëdha dhe akuzoi për manipulime të pushtetit në provincën e gjerë e rurale. Shumë frikë e ngërç para zgjedhjeve. Shumë propagandë pas tyre. Për një fitore që premtonte mirë për 2009-n. Mendjelehtësi! Aq sa PS u rikonfliktua deri në armiqësi me LSI-në. Maxhoranca dha çdo konsensus për sistemin zgjedhor. Zgjeroi aleancat e përdori taktikat ne përshtatje me të. Socialistët bënë të kundërtën e logjikës së sistemit që kërkuan vetë.
11. Demokratët ndiheshin më të sigurt në fitore në 2009-n. Sondazhet, edhe ato të besueshme për të majtën, e konfirmonin. Logjika politike, mbështetur në përçarjen e rëndë në të majtën dhe e të ashtuquajturës “konstante sjelljeje e votuesve”, gjithashtu. Po ripërsëritej situata e kampeve politike në 2005-n. Rezultati në proporcional, praktikisht i barabartë me atë të 2005-s. Fitojnë demokratët. Me President e Kryeprokuror kundër, si zakonisht. Pak para zgjedhjeve, Rama nuk lë Bashkinë. I duhej për ditë të zezë! Donte t’i fitonte të gjitha, por jo t’i humbte të gjitha! E kaplon frika e humbjes. Aq sa edhe zgjedhjet, sipas Ambasadës amerikane, mund t’i kish braktisur. Nuk ishte i përgatitur t’i hapte rrugë lidershipit të ri. Nuk i njohu zgjedhjet. Pasoi një dyvjeçar i ashpër e destruktiv opozitar. Për ideal, ambicie apo vetëmbrojtje? Ka ndonjë që mendon se ishte i kërcënuar fizikisht atë kohë? E bëmë me fjalë ta lëmë mënjanë idealin. Mbetet ambicia. Po kështu për humbjen në 2011-n. Arriti në kufijtë e vdekjes politike. U kthye mbrapsht prej andej me (+10) vota në 250 mijë më 14 maj.
12. Në këto 20 vite demokraci, e gjatë për çdokënd dhe e shkurtër për historinë, një tipar i përbashkët i zgjedhjeve është që opozita e radhës nuk ka pranuar asnjëherë humbjen. Përballë vlerësimeve të zgjedhjeve, që gradualisht kaluan nga manipulimet tek plotësimi i pjesës më të madhe të standardeve, mosnjohja e zgjedhjeve nga opozita përbën një paradoks tashmë të fryrë si tullumbace. Nga ana tjetër, në të gjitha zgjedhjet pushteti gjithnjë e ka pranuar humbjen kur kjo ka ndodhur. Kjo është ligjësi e pakthyeshme fatmirësisht. Por, është veçse një pjesë e kushtit fillestar. Pranimi i humbjes nga opozita mbetet ende në sprovë. A do ta pranojë humbjen, nëse kjo ndodh, në 2013-n, apo jo?! Varet nga ambiciet e Ramës. Asgjë tjetër. Do ta kuptojmë nga shpalosja e qasjes së re opozitare përgjatë dy viteve në vijim. Siç u parakuptua në 2009-n dhe 2011-n.
© Panorama.al












