UVIL ZAJMI/ Viti 1982, muaji korrik. Familja Haxhiaj ka një gëzim, do të martohet vajza, dhe një dasëm me të ftuar siç ndodhte zakonisht në traditën e shqiptarëve, është përgatitur. Por, një ngjarje e pazakontë, tronditëse, do të përmbyste gjithcka në 24 orë.
Shkak do të bëhet arrestimi i një të afërmi, xhaxhait, me pasoja deri prishjen e martesës vetëm dy ditë para ceremonisë festive, e programuar një të shtunë të atij korriku. Kur gjithçka është bërë gati për atë mbrëmje, drama që goditi nusen e re, famijen e saj u përjetua rëndë nga të gjithë. 26-vjeçe, vajzë e vetme, motër e tre vëllezërve, në kulmin e moshës, e bukur, elegante, me pajën, fustanin e bardhë të nusërisë, ndërsa pret e përcjell shoqet, koleget e punës, si një rrufe në qiell të hapur, ëndrra e saj do të rrënohet dhe dasma nuk do të bëhet.
Gjithçka pas burgosjes së xhaxhait, situata e krijuar ndërmjet dy familjeve, atmosfera e tensionuar dhe refuzimit të krushqisë për të mos e zhvilluar dasmën, e ka detyruar Fiqiriun, njërin nga vëllezërit e saj, të marrë një vendim të befasishëm. Një histori e rrallë, që i përket kohës, periudhës së diktaturës, e pabesueshme, e padëgjuar, ndërsa e rrëfen sot vetë njeriu i atij propozimi surprizë, që shtangu prindërit, të ftuarit, të gjithë.
Për “Panorama”, Haxhiaj, kujton: “Në pak orë, aq sa kishin mbetur për dasmën e motrës, kur çdo gjë ishte gati, me farefisin e ardhur, dhe pas pretendimeve të krushqisë me një justifikim absurd për ta shtyrë dasmën, ka qenë një çast, kur vendosa një tjetër zgjidhje: Dasma duhet të bëhej! Por, nuk nuk ishte e lehtë, për mua, familjen time, veçanërisht për motrën, pasi nuk e prisnin reagimin dhe idenë time. Dasmorët u befasuan kur panë një tjetër nuse e dhëndër”.
Fiqiri Haxhiaj: “Arrestimi i xhaxhait, krushqit refuzuan dasmën e motrës”
Edhe pse kanë kaluar shumë vite, gati 4 dekada, për të, vellezërit, motrën, veçanërisht prindërit, që prej kohësh janë ndarë nga jeta, ai korrik i atij viti nuk harrohet lehtë. Edhe sot, e kujton situatën e vështirë dhe si e përcolli familja e tij, kur papritur u ndodhën para një fakti, një rrethane të rëndë, të papërgatitur e të pamenduar nga askush më parë. “Edhe sot, xhaxhai, ndonëse në moshë të madhe, ndjehet në faj si shkaktari që u prish ajo martesë, ajo lidhje. Nuk duhet të ndodhte, por frika i kushtëzonte, detyronte, ndikonte te njerëzit, për të marrë të tilla vendime, edhe dy-tre ditë para dasmës, deri në raste, evenimente siç ishte martesa, siç edhe ndodhi me ne. Sot, as mund të konceptohet”, shprehet Fiqiriu.
Z. Haxhiaj, dy fjalë për familjen tuaj?
Familja jonë, dy prindërit, me origjinë nga Vlora, prej vitesh të sistemuar në Tiranë, me banim te pallatet pas “Shkollës së Bashkuar”. Prindërit ishin të angazhuar me punë, mamaja në Kombinatin e Mishit, ndërsa babai, me profesion inxhiner ndërtimi punonte në Ministrinë e Brendshme. Ishim katër fëmijë, tre djem dhe një motër, Diana. Ajo ishte e dyta, pas meje, vëllai i madh. Një familje e qetë, gjithçka me punë.
Motra, e fejuar, përgatiteni për dasmë?
Motra punonte te kartografikja në zyrën e finanacës në Tiranë. Kishte kohë që njihej me një djalë, ishin fejuar, madje kishin caktuar edhe ditën e dasmës. Sigurisht që martesa ishte një festë gëzimi familjar, për jo vetëm për vajzën, por kryesisht për prindërit dhe ne vëllezërit. Do të martonim motrën, ngjarje e veçantë për kohën, familjet shqiptare.
Papritur ndodh një ngjarje që ka pasoja?
Data e martesës ishte caktuar, 7 korriku 1982, ditë e shtunë. Me 4 korrik, krejt papritur arrestohet xhaxhai, oficer, komandant batalioni në Fier, me akuzën për agjitacion e propagandë. Babai im shkoi menjëherë dhe lajmëron krushqinë, familjen e dhëndrit, për atë që kishte ndodhur, duke i treguar se i kanë arrestuar vëllain.
Reagimi i tyre ishte njerëzor, normal, duke u shprehur se për ne nuk ka problem. Kjo na qetësoi.
Një vizitë e pamenduar, që shkatërron gjithçka…
Të enjten, dy ditë para dasmës, familja e dhëndrit na njofton se do të vinin për një vizitë në shtëpi. Ishte mbrëmje kur erdhën, i pritëm, dhe në bisedë e sipër, na kërkuan që a mundet ta shtyjmë dasmën, pasi kemi nënën e sëmurë. Ndërkohë, motra ishte bërë gati, veshur nuse, i vinin koleget e punës, shoqe, të njohur, të saj. Nisur nga pretendimi i tyre për nënën e sëmurë, babai iu përgjigj: Jo nuk mundet.
Sikur të dy prindërit e mi të më vdesin, dasmën e vajzës së vetme nuk do ta shtyja, sepse është gjynah, çifti është përgatitur. Na kanë ardhur të gjithë të ftuarit. Ne lebërit kështu e kemi, shkojmë disa ditë përpara. Unë kisha siguruar duke blerë një viç, e mbaj mend edhe çmimin, 7.500 lekë të vjetra. Kishim shpërdarë ftesat, nisur telegramet, gjithçka që shërbente e duhej të përgatitej një dasmë në ato vite me kushtet, mundësitë, sakrificat e asaj kohe, ku mbizotëronte vështirësia në çdo sektor, ushqimet me lista, me tollon, etj.
Një stuatë delikate, familja e dhëndërit ka ndryshuar mendim?
Drama që na goditi, pas arrestimit të xhaxhait ishte e madhe, na hutoi të gjithëve, aq më shumë në prag të martesës. Gjithçka si pasojë e atij arrestimi, ishte edhe ai reagim, një justifikim pa motiv nga ana e krushqisë, që kuptohej, dukej qartë, që ishte një refuzim nga ana e tyre, të prishej fejesa, që të mos bëhej ajo dasmë. Sigurisht me pasoja për ne. Vetëm në pak orë, kur në shtëpinë tonë vizitat nuk ndaleshin duke uruar, motrën, vjen ai qëndrim i familjes së dhëndrit që tensionoi situatën, marrëdhëniet ndërmjet dy familjeve. Në njërën dhomë të apartamentit tonë vijonin pritjet, në tjetrën po merrej një vendim absurd, shkatërrues.
E prisnit atë qëndrim të tyre?
Që në momentin e parë që u shfaqën në derë, dhe gjatë qëndrimit, unë e kuptova, e pashë në fytyrat e tyre, se diçka nuk shkonte, dhe qëllimi pse kishin ardhur fshihte një pabesi. Gjatë bisedës ata po shtrëngoheshin, duke gjetur justifikime, fillimisht për të shtyrë dasmën, por që dukej qartë se nuk donin që ajo të bëhej.
Dhe cili ishte reagimi juaj?
Në një moment, dëshpërimi, nervozizmi, unë reagova ashpër dhe çfarë i kishim servirur në tavolinë, pije, gota, kafe i hodha në tokë. Dilni përjashtë, ulërita dhe në ato çaste, të shtangur, se nuk e prisnin veprimin tim, ata u çuan dhe pa fjalë u larguan. Ikni, ikni, do të martohem vetë i bërtita kur ata po dilnin. Një situatë e vështirë. Kthehem dhe i them babait: Dasmën do ta bëjmë, do të martohem unë. Ishtë një gjetje, zgjidhje jo normale, por një ide e tillë më erdhi në ato momente. Babai, mamaja, vëllezërit, të tronditur, të befasuar se nuk e prisnin qëndrimin e krushqisë, dhe që dasma e motrës nuk do të bëhej, u habitën më shumë nga reagimi, propozimi im.
Z. Haxhiaj, më thatë se braktisja e dasmës ishte e vështirë?
Në pak orë, aq sa kishin mbetur, kur çdo përgatitje kishte përfunduar, me farefisin e ardhur, të braktisnim dasmën e motrës ishte e vështirë. Nuk e harroj dëshpërimin e madh të motrës, njëkohësisht një goditje dërmuese për të e gjithë ne. As ajo nuk e priste qëndrimin e familjes së të fejuarit. Nuk ishin shfaqur, nuk i kishin dhënë asnjë sinjal më parë. Gjithçka në atë mbrëmje, u prish, u shkatërrua për të dhe ne. Kthim mbrapa nuk kishte. Mendoni gjendjen e prindërve të mi. Si të mpirë, pa fjalë, në heshtje nuk kishin fjalë e aprovuan martesën time. Pa e njohur më parë nusen.
Cila ishte zgjidhja?
Në atë kohë unë isha i dashuruar, kisha krijuar një lidhje me një vajzë, që do të bëhej gruaja ime në pak orë. E pamenduar, as biseduar, projektuar, por ashtu shpejt, befasishëm, vetëm në pak kohë. I shkoj të premten në orët e para të mëngjesit, një e gjysmë e natës ka qenë, trokita në xham, doli e habitur, e trembur. Bëhu gati, do të martohemi. Do vijmë nesër të kërkojmë. Njofto prindërit, do të vijmë nesër të kërkojmë. Ajo mbeti. Për kohën, nuk ishte aq e lehtë, siç mund ta mendosh sot. Një dasmë që prishej vetëm dy ditë para saj dhe një tjetër që duhet të organizonim kur nuk kishin mbetur as 24 orë. Pa u njohur familjet, pa bërë fejesën e shkëmbyer unazat siç veprohej. Sidomos për njerëzit e saj, ishte shokuese.
Dhe si veproi ajo, familja, prindërit, njerëzit e saj?
Ajo lajmëroi familjen e saj, që sigurisht u bëfasuan. Edhe për ta ishte një e papritur e madhe, që vajza e tyre do të martohej për 24 orë, kur ata nuk ishin në dijeni të njohjes sonë dhe ishin krejtëisht të papërgatitur. Por, mirë na thanë ju presim. Kemi vajtur unë babai dhe dy vëllezërit, ditën e premte në mësditë dhe i kërkuam dorën. Sigurisht që ua shpjeguam motivin e organizimit të një dasme të shpejtë, që në një farë mënyre do të “zevëndësonte” atë që ishte përgatitur në kohë, por që nuk do të bëhej. E pabesueshme kur e dëgjon sot.
Në dasmë befasohen të gjithë të ftuarit, pse?
Të dielën me 11 korrik, e kam bërë dasmën. Erdhën të ftuarit, farefisnia, e ndërsa të gjithë prisnin të shihinin motrën time nuse, më panë mua dhëndër dhe një tjetër nuse me vello në krahun tim. Mbetën të çuditur, habitur, pasi shumë prej tyre nuk dinin asgjë çfarë kishte ndodhur. Dasmën e kam bërë në oborrin e një shtëpie private, pikërisht aty ku do e bënte edhe motra.
Për nusen e re, të papërgatitur duhet fustani i bardhë?
E vetmja zgjidhje, mundësi e shpejtë ishte që nusja ime të merrte veshjen e motrës. Dhe ashtu bëmë. Me disa rregullime, ajo e përdori, doli me fustanin që motra kishte përgatitur për dasmën e saj. Ata e zhvilluan dasmën ditën e shtunë, ishim edhe ne, bashkë me motrën. Kohë më vonë, kam bërë celebrimin.
Një dasmë ku kërcejnë festojnë të gjithë?
Ajo ishte prenotuar kohë më parë dhe paguar për dasmën e motrës. Po kështu edhe orkestra. Por, imagjinoni çfarë situate, atmosfere mbizotëronte atë mbrëmje. Edhe pse kishte bollëk, për atë çfarë kishte ndodhur, kush mund të fuste gjë në gojë? U ndjemë shumë keq të gjithë. Veçanërisht motra.
Rikthehemi pak te xhaxhai juaj, ndodhet në burg, ditën e dasmës tuaj?
Xhaxhai edhe pse i pafajshëm, por i akuzuar nga sistemi, diktatura, mekanizmat e kohës, veçanërisht pas grupeve të ushtarakëve, si simpatizant i Mehmet Shehut. E arrestuan papritur, dhe në gjyqin që u zhvillua më vonë e dënuan 12 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti deri me ardhjen e demokracisë. E dërguan në Burgun e Shënkollit.
Banonte në Fier, ku edhe shërbente si komandant reparti, i martuar me tre fëmijë. Për shumë arsye, kushte, familja nuk mundet t’i shkonte për ta parë në burg, ose shumë rrallë. Vetëm ne nipërit nga Tirana, me tren, autobusë, makina të rastit deri edhe me biçikleta kemi vajtur për ta takuar. Sa herë që sot kaloj në Urën e Matit, kthej kokën shoh burgun, më rikthehet gjithçka.
Ka një reagim të tij, gjithçka në një letër sekrete?
Kur ishte në burg, kohë më vonë, pasi kishte ndodhur ngjarja me motrën, unë shkova për ta parë. Kur erdhi në dhomën e takimit, u befasova, pasi e pashë të rënë shumë moralisht, fizikisht. Qëndruam pak dhe në një cast, nën zë më thotë që kishte shkruajtur një letër të gjatë për babain tim, të cilën e kishte qepur, fshehur te një palë mbathje të veshura poshtë atyre të burgut. U zhvesh, me shpejtësi i hoqi, m’i dha, dhe në pamundësi për t’i nxjerrë jashtë burgut, edhe unë i vesha nën pantallonat e mia, dhe ashtu kam dalë. Një veprim i ndaluar, tejet i rrezikshëm, por nuk më kontrolluan.
Ju kujtohet përmbajtja e letrës?
Kur erdha në shtëpi ia dorëzova babait. Një letër prekëse, të cilën e ruaj, ku midis të tjerave, ndërsa i tregonte, shpjegonte për pafajësinë, ishin edhe disa radhë lidhur me prishjen e martesës së motrës, të cilën ai e kishte përjetuar më keq nga të gjithë. Pasi ishte informuar se ajo nuk ishte bërë dhe shkaktari mendonte se ishte ai, siç edhe shkruante, madje edhe sot, siç thotë, kujton e shprehet, mban fajin e prishjes së martesës dhe mosbërjen e dasmës së mbesës së tij.
Si vijoi jeta e motrës z. Haxhiaj?
Motra vazhdoi jetën, iu rikthye punës, sigurisht e tronditur, moralisht e rënë, me një zhgënjim të madh në shpirt. Fjalët e përhapura, thashethement, situata që krijohej, mbizotëronte në rrethin familjar, farefis, komshinj, lagje, të vriste, të shoqëronte kudo në çdo hap dhe në çdo ditë. Ndërkohë, ajo me krushqit, ish-të fejuarin u mbyll përgjithmonë. Në dasmë ku ishte edhe motra, mendoni çfarë gjendje shpirtërote ishte ajo. Nga ajo ditë, asaj nuk i qeshi buza, deri kur u martua më 1993.
Një njohje dhe një dasmë tashmë jashtë Shqipërisë?
Motra pati fatin, pasi djali i xhaxhait, Arjani, që fatkeqësisht është ndarë nga jeta, në vitin 1991, e mori në Itali, ku ai jetonte bashkë me prindërit e tij. Pikërisht në Cozenca, motra, u njoh me një italian, njeri i mrekullueshëm. U dashuruan dhe më 1993 u martuan, u bë një dasmë e bukur. Ashtu jetojnë, të dashuruar edhe sot. Kanë një djalë të vetëm Enzo, 27 vjeç, ka mbaruar studimet e larta. Para pak kohësh Diana kishte ditëlindjen, ishim të gjithë atje, festuam së bashku në shtëpinë e saj. /Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al