
Projektligji përplas dy deputetët socialistë, maxhoranca e miraton.
Projektligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” ka përplasur në Komisionin e Veprimtarisë Pro-dhuese deputetët e Partisë Socialiste, Eduard Shalsi dhe Hazir Gashi. Nënkryetari i Komisionit ka deklaruar votën kundër të opozitës për projektligjin, pasi sipas tij, ky draft nuk është konsultuar me pushtetin vendor dhe është e pamundur t’i jap zgjidhje hipotekimit të pallateve pa pronar. Shalsi tha se drafti duhet të shtyhej për t’iu nënshtruar një ekspertize të dytë. Ndërkaq, anëtari tjetër i opozitës, Hazir Gashi, i njohur si biznesmen ndërtimi, theksoi se drafti i propozuar nga qeveria u jep zgjidhje problematikave të qytetarëve, ndaj shprehu dakordësinë me këtë projektligj. “A është sqaruar Bashkia për këtë problem, sepse është një kosto që e merr përsipër Bashkia dhe jo ne? Po të jetë diskutuar me Bashkinë, atëherë gjithçka në rregull është dhe s’kemi pse ta diskutojmë, për mendimin tim. Të mendojmë për një moment nëse kolaudimi merret përsipër nga ky ligj, familjarët kanë paguar paratë për apartamentet, duan tapinë ata. Si t’ia bëjnë?”, tha Gashi. Edhe pse qëndrimet ishin të kundërta, opozita është larguar nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese duke mos marrë pjesë në votimin nen për nen të ligjit.
Ndryshimet
Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, janë miratuar vetëm më votat e maxhorancës. Nisma në fjalë i jep zgjidhje problemit që hasin pallatet apo ndërtesat, të cilat janë blerë nga qytetarët, por që nuk mund të pajisen me hipotekë për shkak të falimentimit, likuidimit apo çregjistrimit të ndërtuesit. Në draftin e ri është parashikuar një afat 3-vjeçar për kolaudimin teknik të ndërtesës dhe në rast se investitori ka shpallur falimentin, atëherë ngarkohet njësia e qeverisjes vendore për të kryer procesin e kolaudimit teknik. Fatura financiare për këtë proces, sipas projektligjit, do t’i ngarkohet pushtetit vendor, që ka për detyrë të paguajë dhe kolauduesin e licencuar dhe grupin e ekspertëve në rastet kur konstatohet se për ndërtesa të caktuara ka mungesa të dokumentacionit të mbikëqyrjes së punimeve. Pas përfundimit të procedurave teknike, Bashkia do t’i drejtohet me një shkresë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të bërë regjistrimin e objektit për pronarët, të cilët kanë pasur kontratë sipërmarrjeje me investitorin.
Debatet në Komisionin e Veprimtarisë
Eduard Shalsi: Ky projektligj nuk ka asnjë gjurmë të konsultimit midis Ministrisë së Punëve Publike, Bashkisë së Tiranës dhe pushtetin vendor në tërësi. Do të jenë ata nesër që do ta aplikojnë këtë ligj.
Jemin Gjana: Ekspertët e të dyja dikastereve janë ulur pas kërkesës sonë dhe kanë sjellë një draft të ri ligjor që reflekton në ligj. Është hequr termi juridik largimi i investitorit, sepse nuk mund të provohet ligjërisht, dhe është lënë vetëm në rastet kur investitori është çregjistruar, ka falimentuar ose është likuiduar. Zoti Shalsi, mirë është mos të krijoni skena të panevojshme. Lajmi do të jetë 2 minuta, nga të cilat ti do kesh 30 sekonda, dhe kaq. Po të duash, shko te Agron Llakaj dhe provo njohuritë e tua.
Eduard Shalsi: O Jemin, nuk dua të jem siç ke qenë ti për 20 vjet, prandaj i kam hyrë politikës, që të jemi të qartë.
Jemin Gjana: S’kam ndërmend të nervozohem me budallallëqe të tilla.
Eduard Shalsi: Duhet të kesh mend që të nervozohesh.
Jemin Gjana: Në qoftë se do të shtrish gjuhën aq sa e ke të gjatë, nuk i ha provokimet e tua. Mbaje gjuhën brenda dhëmbëve.
Hazhir Gashi: A është sqaruar Bashkia për këtë problem, sepse është një kosto që e merr përsipër Bashkia dhe jo ne? Po të jetë diskutuar me Bashkinë, atëherë gjithçka në rregull është dhe s’kemi pse ta diskutojmë, për mendimin tim. Të mendojmë për një moment nëse kolaudimi merret përsipër nga ky ligj, familjarët kanë paguar paratë për apartamentet, duan tapinë ata. Si t’ia bëjnë?
Eduard Shalsi: Ne kemi shqetësime serioze në aplikimin e këtij ligji, pasi e konsiderojmë si të pamundur aplikimin dhe me amendimet e fundit. Në rast se do të gjykoni, jemi gati të vendosim ekspertizën tonë për t’i parë edhe njëherë këto amendime të dyta dhe ato shqetësime që ne kemi ngritur, dhe të shkojmë në Parlament me një ligj që zgjidh problemin.
Ardian Turku: Do të sillja një shembull konkret. Në Elbasan u dogj teatri “Skampa”, u cenuan konstruksionet nga flakët. U ngrit grupi i ekspertëve që bëri analizat e betonit dhe të tjerat për të përcaktuar qëndrueshmërinë e kësaj ndërtese. Dhe në rastin konkret përcaktohet një grup ekspertësh, jo për projektin, sepse ai është analizuar nga ndërtuesit, por grupi i ekspertëve do të kontrollojë ato dokumentacione që mungojnë dhe do të ndihmojë për përfundimin e tij.
Mbi 100 familje, ankesa në Bashkinë e Tiranës
Mbi 100 familje janë ankuar pranë Bashkisë së Tiranës për problemin e hipotekimit të banesës për shkak të falimentimit të investitorit. Sipas drejtorit të Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Punëve Publike, Iglion Peçi, drafti në fjalë synon t’u japë zgjidhje shqetësimeve të qytetarëve, të cilët kanë blerë apartamente, por për shkak të falimentimit të ndërtuesit, nuk është përfunduar procesi i kolaudimit teknik. Mospërfundimi i këtij procesi i pengon qytetarët që të vazhdojnë procedurat për hipotekimin e banesës. “Aktualisht janë mbi 100 familje në Tiranë që janë ankuar pranë pushtetit vendor për problematikën e mos pajisjes me hipotekë për shkak të falimentimit të investitorit”, theksoi Peçi.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











