Zyra e Regjistrimit, 45 ditë afat për të verifikuar regjistrimin e pasurive.
Preken qytetarët te zona “Kodra e Priftit” dhe “Siri Kodra”
Për 9652 pasuri që u përkasin dy zonave kadastrale të rëndësishme në kryeqytet ka filluar tashmë afishimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ky proces vjen në kuadër të projektit për ndërtimin e sistemit të ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Zona e parë kadastrale ku është bërë afishimi është ajo 8170, saktësisht në adresën: Rruga “Sadik Petrela”, te Kodra e Priftit (200 metra mbi Urën e Shkozës), ku rezultojnë 4342 pasuri të paluajtshme. Kurse zona e dytë është ajo Nr. 8340, në adresën: Rruga “Siri Kodra”, përballë ish-Tensioni i Lartë, me 5310 pasuri. Listat do të qëndrojnë të afishuara për plot një muaj e gjysmë, pra 45 ditë kalendarike dhe qytetarët e këtyre dy zonave duhet që të bëjnë verifikimet e tyre. “Në këtë fazë të këtij procesi është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara. Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te zyra vendore e ZRPP-së”, thuhet në njoftim. Nga ana tjetër, specialistët e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të marrin në shqyrtim ankesat dhe pretendimet, duke pasqyruar edhe ndryshimet përkatëse brenda periudhës së afishimit publik. ZRPP bën me dije se afishimi fillestar publik i pasurive të paluajtshme mund të aksesohet gjithashtu nga faqja zyrtare e këtij institucioni.

NERTILA MAHO
© Panorama.al











