Hipoteka, përgjigje me e-mail brenda 15 ditëve

Jun 7, 2012 | 14:45
Godina e Hipotekës

Qytetarët që kërkojnë të pajisen me një dokument pronësie në zyrat e hipotekave, do ta marrin përgji-gjen me e-mail brenda 15 ditësh. Afati prej 15 ditësh është i detyruar për çdo punonjës hipoteke që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe pajisja e tyre me dokumentet e pronësisë do të bëhet edhe me dërgimin e dokumentit fizik me anë të zyrave postare dhe me e-mail. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për procedurën e lëshimit të dokumenteve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që tashmë do të jenë të gjitha të dixhitalizuara dhe të aksesueshme on-line. Ndryshimet e reja janë propozuar nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe kanë për qëllim uljen e radhëve në hipoteka dhe heqjen e mundësisë së marrjes së ryshfetit nga punonjësit e hipotekave. Çdo kërkesë e qytetarëve për të marrë dokumentacion pronësie në zyrat e hipotekës, tashmë do të regjistrohet elektronikisht dhe kërkuesi do të pajiset me një kupton me një numër përkatës. Në sistemin e ri elektronik ku shënohen të gjitha kërkesat e qytetarëve për të marrë shërbime nga ZRPP-të, janë të krijuara në mënyrë që të lënë gjurmë për kohën kur është paraqitur kërkesa, në çfarë procesi është dosja e kërkuar dhe kur qytetari do të marrë përgjigje. Pajisja e qytetarëve me kuponë me numra eliminon dhe favorizimin e kërkuesve dhe zvarritjen e dhënies së përgjigjes për personat që nuk paguajnë ryshfet apo që nuk kanë njohje në institucionin e Hipotekës. Në çdo rast, dhënia e përgjigjes e regjistruesit të hipotekës do të monitorohet nga kryeregjistruesi, i cili do të bëjë dhe verifikimet në rast se është respektuar apo jo radha e kërkimit të shërbimit. Kryeregjistruesi i paraqet informacion të përditësuar ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrit dhe, në rastet kur konstatohen shkelje nga regjistruesit e hipotekave që favorizojnë apo nuk respektojnë kërkesat e qytetarëve dhe përgjigjen brenda afatit 15-ditor, atëherë bëhet propozimi për shkarkimin nga detyra të punonjësve të hipotekës.
Noterët
Me miratimin e ligjit “Për pasuritë e paluajtshme”, u jepet mundësi noterëve që të kryejnë shërbime me kërkesë të qytetarëve pranë ZRPP-ve. Krimi i database on-line u jep të drejtën noterëve që të shikojnë on-line të dhënat e pronës që është në proces transaksioni. Realizimi i verifikimit on-line të pasurive të paluajtshme shkurton zhvillimin  e një transaksioni me dy faza për qytetarin: 1 ditë për të shkuar tek noteri për lidhjen  e kontratës dhe 1 ditë për ta tërhequr kontratën, së bashku me vërtetimin e pronësisë.

Berisha: Qeveria, gati 125 projekte dixhitale
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se pas projektit të kabinetit dixhital, AKSH ka realizuar fazën tjetër shumë të rëndësishme të e-kabinetit, që është aktet dixhitale. Kryeministri shpjegoi se ky proces shtrin praktikën dixhitale në 1300 punonjës të  administratës, duke filluar nga specialisti i thjeshtë ku nis akti, deri te Këshilli i Ministrave ku merr miratimin përfundimtar. “Janë 125 projekte dixhitale me të cilat ne synojmë që Shqipëria në 100-vjetorin e saj të jetë një Shqipëri transparente, e cila shfrytëzon teknologjinë më të lartë, praktikat më të shpejta dhe kjo përbën një arritje të madhe, ndaj dhe unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata punonjës që shndërruan në realitet dhe po shndërrojnë në realitet të prekshëm çdo ditë e më shumë ëndrrën e bukur të Shqipërisë dixhitale”, deklaroi Berisha.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura