Profili, qenësia dhe aktiviteti i një njeriu mund të shihen nga këndvështrime të ndryshme, por kur bëhet fjalë për profilin dhe aktivitetin e një njeriu që mbart mbi vete jo vetëm një post publik si ai i rektorit Dhori Kule, por edhe një mision apo vlerë të shtuar për arsimin dhe reformimin e tij, ashtu siç dikton vetë funksioni i këtij posti, atëherë “kallëpi” i këndvështrimeve ngushtohet. Gjithçka profesionale dhe njerëzore krahasohet dhe përballet me vlerën dhe misionin që mbart posti dhe ndikimi i tij i madh publik, institucional dhe kulturor. Nëse e analizojmë nga ky raport ngjitjen në këtë post dhe profilin që rektori Kule ka shfaqur gjatë kohës që ka shërbyer në të, do të vëmë re një hendek të madh me pritshmëritë, mundësitë dhe hapësirat e thella reformuese që duhet të çelte rektori i UT. Por ajo që e ktheu në një fenomen profilin, deri atëherë të pandjeshëm, të parrezatueshëm e gati të padukshëm, përballë gjithë atyre vlerave dhe misioni të vërtetë reformues që duhet të përçonte rektori në gjithë jetën dhe sistemin universitar, ishte rizgjedhja e tij për të dytën herë në po atë post. E, për më tepër, e ardhur kjo nga një proces i nxituar dhe i kryer pa përgjegjësinë e madhe që i takonte vendimit të marrë nga ana e Parlamentit shqiptar për të drejtën e rizgjedhjes për një mandat të dytë të vetë rektorit dhe strukturave të tjera drejtuese në sistemin universitar. Në perceptimin e përgjithshëm të publikut shqiptar është i rrënjosur fakti se drejtuesit e lartë në Universitet ia lënë vendin njëri-tjetrit, duke dërrmuar konkurrencën dhe cilësinë, por që kjo plagë të ngjitej deri në nivelin më të lartë, shumë pak mund ta mendonte. Megjithatë, fenomeni Kule ia arriti qëllimit, ndoshta duke lobuar në të majtë e në të djathtë, aq sa edhe vetë opozita që ngrinte asokohe zërin edhe për shkeljet më të vogla, për këtë rast fshehu kokën si struci dhe heshti.
Atëherë kemi gjithë të drejtën të pyesim: po cilat janë vallë kredencialet akademike të zotit Kule? Mos vallë koniunkturat?! Profili i tij në vite ravijëzon një rektor më se partiak, në një kohë që rektori i Universitetit të Tiranës duhej të ishe një njeri i depolitizuar dhe me një aktivitet të qartë akademik. Historia e tij është pothuajse partiake, ish-anëtar i Partisë së Punës, drejtues i lartë i Partisë Social-Demokrate dhe tani pjesëmarrës në strukturat e larta të PD-së. Pra, nga një parti në tjetrën në kërkim të postit, dhe jo të ngjitjes dhe kultivimit akademik. Kjo shpjegon qartë edhe plagën tjetër që ka mahisur ky rektor gjatë gjithë këtyre viteve: mosgjallërimin dhe lëvrimin e sa më shumë kërkimeve shkencore dhe profesionale në gjirin e Universitetit shqiptar, për ta kthyer atë në një pararojë të trendit të madh të ndryshimeve që duhet të përfshijë të gjithë sistemin shqiptar kulturëformues. Në koherencë me këtë qëndrim refraktar ndaj vitalizimit të kërkimeve, duket të ketë qenë edhe këmbëngulja dhe lobimi i tij i fortë në lidhje me financimin e universiteteve dhe instituteve private me profil të qartë shkencor dhe akademik, si një ndihmë që mund të japë shteti për gjallërimin dhe mbajtjen në këmbë të sektorëve dhe fushave të caktuara e specifike të studimit, që përndryshe do të shuheshin dhe mbeteshin djerrë. Veçse ky do të qe një “krim” i mirëfilltë kulturor dhe shkencor për nivelin e brishtë të kërkimeve dhe studimeve shqiptare, që universitet private po përpiqen të kultivojnë. Duhet të “tundeshin” sallat dhe auditorët e universiteteve me seminare e konferenca të nivelit më të lartë akademik, me rastin e 55-vjetorit të themelimit të UT, që përkon mrekullisht me 100-vjetorin e Pavarësisë. E kush më mirë se tempulli i dijes mund t’i kremtojë njëherësh këto dy përvjetorë? Heshtja dhe ostracizmi më i plotë sot po mbulon mjaft katedra, duke shëmbëllyer profilin e “heshtur” dhe të “qetë” të zotit Kule.
Do ta kishim lënë në heshtjen, në përtacinë e tij intelektuale fenomenin Kule, sikur para pak ditësh ai të mos bëhej edhe një herë protagonist i një arrogance të pashembullt ndaj pedagogëve të Gjuhëve të Huaja, me nismën e tij për t’i shpërndarë copa-copa nëpër vende të tjera, pa u konsultuar me arsyen dhe etikën njerëzore e administrative. Ndërkohë që hiqet si kampion i pavarësisë së universiteteve, ai shtyp në mënyrë brutale pavarësinë e departamenteve dhe fakulteteve që janë njësia bazë e lirisë së universiteteve. Kush është ky rektor që përgjysmon një Departament të tillë si Anglishtja, duke shkurtuar rreth 28 pedagogë e duke i dhënë goditje gati vdekjeprurëse këtij departamenti, kur dihet prioriteti i qeverisë dhe personalisht i Kryeministrit Berisha për këtë gjuhë me rëndësi praktike dhe gjeopolitike për ne? Veçse ajo që e ktheu plotësisht në një hiperfenomen profilin e tij të “urtë”, ishte protagonizmi e ndoshta dhe plani për t’i “rrëmbyer” Maturën Shtetërore Ministrisë së Arsimit, me pretekstin e abuzimit, për ta kthyer atë përsëri në bazën e vet, nën kontrollin e tij të rreptë, rigoroz e të “ndershëm”. Por pse vallë, s’ishte mahisja deri në mish-hapje e plagës së ryshfetit dhe korrupsionit, premisa që e shtyu me të drejtë Kryeministrin, falë lobimit të ish-këshilltarit të atëhershëm, z. Myqerem Tafaj, sot ministër i Arsimit, për ta reformuar gjithë sistemin e saj, duke ia hequr si tagër Universitetit?
Po kështu edhe në lidhje me Maturën Shtetërore nuk mund të themi se procesi shkon vaj, që s’ka probleme në praktikë dhe se episode të njohura si ai i mësuesve të Kamzës, nuk krijojnë një imazh të mirë. Megjithatë, s’duhet harruar se në thelb nisma dhe qasja e përmirësimit të procedurave që ka afruar MASH për zbatimin sa më të mirë të saj, janë të drejta. Reformat dhe vlerat që ato përçojnë nuk janë kurrsesi flugerë, që sot i nis e pastaj i rrëzon që në pengesën e parë. Duhet kohë dhe përmirësim i shpejtë, por jo shkulje nga rrënja, se kështu ia diktojnë interesat hiperfenomenit Kule. Jo. Është e udhës që universiteti të ndriçojë jo vetëm me dijet, por edhe me kulturën e institucionalitetit, të bashkëpunimit, të kooperimit me institucionet e tjera publike dhe jopublike, aq më tepër me MASH. Të ndriçojë me kulturën e respektimit të rregullave dhe procedurave të administrimit, jo të japë imazhin e mospërfilljes, të mosdëgjimit, të mospërmbajtjes. Me këtë rast, propozoj të çelet edhe një debat publik mbi rolin dhe misionin që mund të kryejë sistemi universitar në shpërhapjen e një kulture të tillë, duke premtuar se do të jem pjesëmarrës me eksperiencën time modeste.
Arroganca, kësaj radhe e ngritur në nivelin më të lartë, i ngjan një maske që shpeshherë të paaftët e vënë për të mbuluar hendeqet e tyre të mëdha. Kësaj here ajo ka vërshuar me gjithë fuqinë e saj, ndaj pritat dhe barrierat që duhen ngritur për të mos e përmbysur krejt sistemin duhet të jenë jo vetëm të larta, të forta dhe institucionale, por edhe të bashkërenduara nga i gjithë spektri politik dhe ai i shoqërisë civile. Është në dorë fati i edukimit të fëmijëve tanë, gjëja më e shtrenjtë dhe më themelore e një kombi. Përfundimisht mendoj se zgjidhja e problemeve të edukimit nuk kërkon protagonizëm të hiperfenomeneve, por cilësorët e paqësorëve të urtë e të ditur të profilit akademik, që duket se te zoti Kule mungojnë ose ende nuk janë shfaqur.
© Panorama.al












