Hilari Klinton lë politikën: Jam e lodhur nga ecejaket

Jul 16, 2011 | 10:46

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, do të tërhiqet nga politika vitin e ardhshëm, pasi është “e lodhur nga ecejaket” e jetës publike.Në një intervistë për BBC-në, Klinton tha se “e dua punën që bëj” dhe shtoi se ndihej me shëndet të mirë, pjesërisht falë ushtrimeve fizike dhe jogës. Por, ajo shtoi se është shumë e lodhur, ndërsa i vjen vërdallë botës si diplomatja më e lartë amerikane. “Jam vërtet shumë e interesuar që ta kaloj kohën me miqtë e mi dhe familjen time e të mos jem gjatë gjithë kohës në lëvizje”, tha Klinton në intervistë, sipas një transkriptimi të Departamentit të Shtetit. Sipas sekretares amerikane, kjo ishte “një nga arsyet se pse kam vendosur që të largohem dhe t’i kthehem jetës sime private në fund të një periudhe shumë intensive me aktivitete dhe punë në tetëmbëdhjetë muajt e ardhshëm”, tha ajo. Klinton, 63 vjeçe, e cila ka qenë nën vëzhgimin publik, ka shkëputje që në fundin e viteve ’70 si zonja e parë e Arkansasit, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, senatorja e SHBA-së për Nju-Jorkun dhe në detyrën e saj të fundit si sekretare e Shtetit. Klinton e ka humbur me një diferencë shumë të ngushtë nominimin e Partisë Demokratike amerikane për kandidaturën presidenciale në vitin 2008, ku garonte me Barak Obamën, por ajo gjatë gjitha kohës ka theksuar se punon shumë mirë me të, edhe pse dikur ishin rivalë dhe nuk ka asnjë interes për një detyrë tjetër apo mandat drejtues në Shtëpinë e Bardhë.

Vlerësim

Klinton ka vlerësuar arritjet e administratës Obama. Ajo tha se shumë vendime të administratës së Xhorxh Bushit “kanë vënë në rrezik forcën e Amerikës jashtë dhe brenda vendit”. “Unë jam e angazhuar personalisht të bëj një rrugë të vendosur drejt riparimit të influencës dhe lidershipit amerikan”, tha ajo. Klinton theksi se ende ndien duartrokitje rreth botës kur ajo përmend Obamën.

SHBA njeh qeverinë rebele, Gedafi me plan vetëvrasës

Shtetet e Bashkuara kanë njohur zyrtarisht opozitën libiane si “autoriteti legjitim qeverisës i vendit”. Deklaratën e bëri sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, gjatë një takimi diplomatik në Turqi ku po diskutohej për një plan që do t’i jepte fund luftës. Ndërkohë, lideri libian, Muamar Gedafi, i ka rrëfyer ndërmjetësit rus, Mikhail Margelov, se ka një plan vetëvrasës. Ai do të shpërthejë të gjithë Tripolin në rast se kryeqyteti bie në duart e rebelëve.

© Panorama.al

Te lidhura